Erisa Fero mbetet në burg/ Si u kap zyrtarja e AKSHI me 58 kg drogë

Gjykata e Pogradecit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 28-vjeçaren, Erisa Fero, 32-vjeçarin Likmend Bashën dhe 17-vjeçarin M. K..

Prokuroria ka kërkuar për tre të arrestuarit, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, masën e sigurisë “arrest me burg”, masë të cilën gjykata e ka lënë në fuqi.

Drejtuesja e një zyre në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit drejtonte një rrjet të trafikut të drogës drejt Maqedonisë së Veriut.

Erisa Fero, 28 vjeç, u arrestua në zonën e Linit në Pogradec, ndërsa në automjetin në pronësi të saj kishte 58 kilogramë drogë e llojit kanabis sativa. Policia tha se droga ishte transportuar nga Tirana në drejtim të Qafë Thanës nga ana e zyrtares së AKSHIt dhe më pas do të trafikohej nga dy persona drejt Maqedonisë së Veriut.

Në pranga përfundoi edhe 32-vjeçari Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushë Kruja. Operacioni u ndërmor pas informacioneve në rrugë informative se në zonën midis fshatit Lin trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Menjëherë janë vënë në lëvizje forcat e rendit dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi Likmend Basha.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Me arrestimet e djeshme në kuadër të operacioneve të koduar “Restart”, ka shkuar në 25 numri i personave të arrestuar, ndërsa janë sekuestruar plot 593.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate.