Rrëzoi njerëzit e drejtësisë/ SPAK: Të pushohet padia ndaj Ballhysës

SPAK kërkon pushimin e procedimit penal në ngarkim të komisionerit publik pranë Komisionit të Vetingut, Florjan Ballhysa, i kallëzuar penalisht për falsifikim formularësh, mosdeklarim dhe fshehje të të ardhurave, shkelje për të cilat ai vetë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në kallëzim pretendohej se Florian Ballhysa, për të plotësuar kriteret për pozicionin e komisionerit, ka deklaruar se ka punuar dy vite si konsulent ligjor pranë AMA, disa institucioneve  të tjera shtetërore dhe OJF të ndryshme.

Sipas kallëzimit, gjatë kohës që Ballhysa ka punuar si konsulent ligjor, nuk ka qenë i regjistruar në organet tatimore dhe QKB, duke ushtruar këtë funksion në informalitet dhe duke mos paguar tatimin mbi të ardhurat.

Kallëzuesi pretendonte se Ballhysa ka punuar si avokat pranë Dhomës së Avokatisë në Tiranë, gjithashtu i paregjistruar dhe në formalitet.

Në argumentin e SPAK për pushimin e procedimit thuhet se referuar akteve të administruara dhe veprimeve hetimore të kryera, nuk rezulton të jenë kryer shkelje.