Shfajësoi kolegët e SPAK për Ahmetajn, prokurori Shehu manipuloi edhe vrasjen e Xhuvanit

“Për rastin konkret nga prokurorët e kallëzuar nuk rezulton të jenë ngritur akuza të pabazuara, të jenë fshehur prova apo të jenë shmangur nga përgjegjësia penale persona të tjerë”.

Kjo frazë nuk është thënë nga një gjykatë, por nga SPAK, i cili në tejkalim të kompetencave po merr edhe pushtetin e gjyqtarëve.

Nëse kanë hetuar apo jo Arben Ahmetajn dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi, dhe nëse i kanë ngritur apo jo akuzat siç duhet, këtë nuk duhet ta deklaronte SPAK, por gjykata, e cila sipas ligjeve të reformës në drejtësi ka kompetencat për të vlerësuar fashikujt dhe për të konsideruar provat.

Megjithëse ligji është i qartë dhe i detyrueshëm për të gjithë, fraza e mësipërme është thënë nga një gjykatë, por nga një prokuror i SPAK i cili në tejkalim të kompetencave, ka marrë rolin e gjyqtarit duke shpejtuar të mbyllë hetimet ndaj dy prokurorëve të inceneratorëve, të kallëzuar nga Adriatik Doçi për shpërdorim detyre dhe për fshehje të provave.

Siç rezulton nga aktet, prokurorit Alfred Shehu i kanë mjaftuar vetëm 13 ditë për të shpëtuar dy kolegët e tij të cilët nuk i panë provat e udhëtimeve luksoze të Ahmetajt, që vazhdimisht u paguan nga i akuzuari i inceneratorëve, raporton TCH.

Duke mos gjetur argumente shterues, i njëjti prokuror i SPAK arsyeton në vendimin e mosfillimit të hetimit ndaj Eneid Nakuçit dhe Klodian Brahos duke marrë kompetencat e gjykatës e duke u kthyer në një gjykatë që vetë heton e vetë gjykon, edhe pse rolet në drejtësi janë të ndara, prokurori heton dhe gjykata shqyrton.

Prokurori Alfred Shehu flet për bindjen e brendshme të dy prokurorëve, kur në fakt bindja e brendshme është e drejtë ekskluzive e gjyqtarëve që vendosin për çështjen bazuar në prova, që më pas u krijojnë bindjen e brendshme.

Por prokurori Alfred Shehu njihet publikisht si prokurori që gënjeu dhe manipuloi hapur për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Alfred Shehu ishte me detyrë kryeprokuror i Elbasanit në 21 prill të vitit 2021, kur në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu, së bashku me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gënjyen publikisht kur u pyetën nga mediat, se nëse në makinën e Xhuvanit ishin gjetur materiale zgjedhore. Ish-prokurori e mohoi këtë fakt. Por duket se manipulimit të prokurorit i erdhi fundi disa ditë më pas, kur në sallë të gjyqit Shehu pranoi se në makinën e Kelmend Xhaferrit janë gjetur karta identiteti, lista, formularë patronazhistësh dhe mes të tjerash një sasi eurosh. 

Prokurori Alfred Shehu ishte protagonist I padiskutueshëm që duke mohuar gjetjen e materialeve zgjedhore në vendngjarje, i ka shërbyer socialistëve në pushtet për të fshehur blerjen e votave. Menjëherë pas ngjarjes, pas shërbimit të kryer ndaj socialistëve në pushtet, Alfred Shehu ka njohur vetëm ngjitje. Ai pak muaj më vonë kaloi me sukses vetingun, përpara se të ngrihej në detyrë dhe të emërohej në krye të Prokurorisë së Sarandës dhe tani si prokuror i SPAK.