Përfitoi fatura si Arben Ahmetaj/ Mbetet në burg zv.Presidenti i FSHF

Ish-zyrtari i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit ka kërkuar të ndryshojë masën që kishte lënë më herët në fuqi Shkalla e Parë e Gjykimit.

Por Apeli i Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit arrest me burg, caktuar nga Shkalla e Parë për Arben Dervishajn, biznesmeni që mbikëqyrte punimet e inceneratorit të Fierit, ndërsa akuzohet se paraqiste raporte fiktive në ministritë përkatëse.

Dervishaj kishte apeluar masën e GJKKO duke kërkuar ndryshimi e saj, kërkesë që u rrëzua ditën e djeshme.

Në dosje thuhet se Arben Dervishaj, në kohën që ishte mbikëqyrës i punimeve tek inceneratori i Fierit, miratoi dhe pasqyroi në shtet situacione, shërbime dhe pajisje që nuk janë realizuar, për të justifikuar pagesat e kryera nga institucionet shtetërore që kapin vlerën e 4 milionë eurove. Për të kryer këtë shërbim ndaj përfituesve të aksionerëve të inceneratorëve, Dervishaj ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me të gjitha faturat e paguara nga Klodian Zoto.

Herën e parë në 2017-ën për të parë ndeshjen Juventus-Barcelona në Torino, më pas me të bijën në Tel Aviv dhe për herë të tretë në 2019-ën, po në Torino për ndeshjen Juventus-Ajax. Në këtë ndeshje, Dervishaj nuk ishte i vetëm, teksa shkoi nën shoqërinë e Klodian Zotos dhe Alqi Bllakos. Zoto, vetëm për ndeshjen, për të tre pagoi 5040 Euro.

Aksioneri kryesor i inceneratorit të Fierit pagoi edhe udhëtimin në Itali dhe qëndrimin në hotel të anëtares së komisionit të dhënies së koncesionit, Etleva Kondi, e cila në 2016-ën shkoi me vajzën në Romë. Ajo qëndroi në të njëjtin hotel me Mirel Mërtirin dhe administratorin e inceneratorit, Arenc Myrtezanin, me të cilët u kthye në Tiranë me të njëjtin fluturim. Vetëm për Kondin, Klodian Zoto u tha se pagoi 842,74 në hotel.

Rasti i Dervishajt, i arrestuar për faturat, është i njëjtë me Arben Ahmetajn, i cili është me pushime jashtë Shqipërisë dhe provat e denoncuara nga gazetari Adriatik Doçi nuk janë marrë parasysh nga prokurorët e SPAK.