Nga vjedhja e votave për PS në transport droge, pranga 28-vjeçares

Nuk kanë kaluar as 24 orë nga arrestimi i patronazhistes së Tiranës, Viola Sterjo, kur një tjetër socialiste bëhet lajm kombëtar pas një operacioni policie. Bëhet fjalë për Erisa Feron, 28-vjeç që transportonte drogë nga Mali i Zi drejt Maqedonisë së Veriut.

Në makinë iu gjetën 58 kilogramë kanabis, të cilat i kishte sjellë nga Shkodra dhe do t’i kalonte për në Maqedoninë e Veriut.

E habitshme është që si Erisa Fero, edhe Viola Sterjo punonin në të njëjtin institucion, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ndërkohë që Viola Sterjo kishte mashtruar disa qytetarë të Korçës dhe u kishte marrë qindra mijëra euro ryshfet, e arrestuara tjetër kishte menduar t’i bënte paratë duke transportuar drogë.

Në njoftimin për mediat, AKSHI sqaroi se “Erisa Fero, ishte punonjëse pranë sektorit përkatës të e-Albania, në nivelin Specialiste” dhe se për të kanë nisur procedurat e shkarkimit.

Por si është punësuar Erisa Fero në një institucion shtetëror? Përgjigjia është tek aktiviteti i saj politik, që u zbulua në media pas arrestimit. Nëse Viola Sterjo kishte qenë patronazhiste e PS, Erisa Fero kishte qenë numëruese, madje e përfshirë edhe në vjedhjen e votave.

Vitin e kaluar ajo është kallëzuar nga KQZ bashkë me 20 komisionerë të tjerë, pasi ishte anëtare e PS në një komision të numërimit të votave, ku dyshohet se rezultati i votave ishte falsifikuar.

Fero ka qenë anëtare e PS si pjesë e një komisioni të numërimit të votave në një KZAZ. Për shkak se në komisionin ku bënte pjesë Fero, rezultati i votave ishte falsifikuar, KQZ ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për 21 komisionerë, mes të cilëve dhe Erisa Fero.

Policia tha operacioni ku u arrestua Erisa Fero dhe bashkëpuntorët e saj u krye nga prokuroria e Pogradecit në bashkëpunim me policinë e Korçës. Droga vinte nga zona e Shkodrës, ku të implikuar kanë qënë persona nga Fushë Kruja dhe Korça.

“Nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës”, informoi Policia e Korçës.

Punonjësja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Erisa Fero drejtonte makinen, që kishte në bagazh 58 kg kanabis. Së bashku me të ishte dhe Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushë Kruja dhe një 17-vjeçar me inicialet M.K./LAPSI