Lirohet burri i denoncuar për dhunë, në vend të tij në qeli shkon gruaja

Gjykata e Tiranës ka servirur rastin e dënimit të një gruaje si mundësi për të bërë drejtësi ndaj vendimit absurd dhe pa prova që kishte dhënë kundër bashkëshortit të saj.

Historia që kërkon hetim nga institucione konkrete për dy vendime të njëpasnjëshme që pasojnë një denoncim dhune ka ndodhur në Tiranë dhe vendimet janë marrë po në shkallën e parë të gjykimit në kryeqytet. Po ndërkohë që Gjykata njofton se në vendin e burrit ka kërkuar të burgoset tashmë gruaja, sërish nuk ka deleguar asnjë detyrë për Policinë dhe Prokurorinë të vërtetohen deklaratat e gruas që në krye të herës, kur ajo denoncoi për dhunë të shoqin.

Gjykata ka dhënë të dhëna për mediat duke nxjerrë edhe emrin e plotë të gruas, nënë e dy fëmijëve, ndërkohë që sipas të dhënave të publikuara bëhet me dije se gruaja ka shkuar te një noter dhe ka nënshkruar një deklaratë, në të cilën pranon se ka gënjyer pas bashkëshorti i saj nuk e kishte dhunuar kurrë. Nga ajo çka është thënë nga palët bëhet me dije se familja e saj dhe bashkëshorti i saj viteve të fundit janë përfshirë në një konflikt për çështje prone.

E për këtë shkak gruaja është shtyrë të denoncojë, e tani, nga keqardhja që i shoqi mbeti në paraburgim, ajo ka shkuar dhe deklaruar se kishte gënjyer. Në fakt, janë me qindra raste të tilla, ku gratë e dhunuara, ku mbase historia e çiftit M., nuk është e tillë, që pasi janë dhunuar, madje edhe barbarisht nga bashkëshortët, pas ndërhyrjeve të shumta të njerëzve të afërt, apo edhe miqve kanë nënshkruar deklarata lehtësimesh për partnerët e tyre.

Po ashtu, në vendin tonë, jo pak herë, janë vrarë gra, ndërkohë që kanë qenë nën urdhrin e mbrojtjes së dhënë nga Gjykatat, një nga mekanizmat më të pazbatueshëm nga instancat përkatëse, ndërkohë që bashkëshortët që më pas arrestohen si vrasës duhet të qëndrojnë 500 metër larg personit që është nën këtë urdhër. Po rasti i familjes M. nga Tirana tashmë sjell një tjetër precedent, ku sapo njëri prind lë qelinë, në vend të tij, shkon prindi tjetër, ndonëse ata kanë edhe dy fëmijë.