Lajçak: Të mos lejohet krizë tjetër, Kosovë - Serbi të përpiqen për marrëveshje deri në mars

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se përkundër heqjes së barrikadave në veri të Kosovës tensionet mbesin ende të larta.

Duke folur për heqjen e barrikadave ai ka thënë: “Besoj se e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbeten të larta. Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më parë”. Këto komente ai i bëri për “Politico.eu”.

 “Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi Lajçak, i cili së bashku me me SHBA-në dhe NATO-n  është duke punuar në përpjekjet diplomatike. Lajçak këmbënguli se këto përpjekje nuk do të pushojnë, duke thënë se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje.