Arjan Çani: Rama ka pasion intrigën dhe përçarjen, tani i sheh njerëzit si lodra dhe zbavitet

Arjan Çani thotë se Edi Rama është mjeshtër i intrigave dhe se tani që ka 9 vjet në pushtet, i sheh njerëzit si lodra. I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Çani deklaroi se kryeministri tani "intrigën e ka zbavitje". 

"Edi Rama me sa e njoh unë dhe sa e kam njohur, është njeri që e ka patur vijë sjelljeje përçarjen e humanëve edhe në jetën e përditshme edhe në shoqërinë e tij.

Edi Rama, në momentin që shikon, që dy persona nuk honepsen, është brilant si intrigant për t'i përçarë. Ai e ka bërë këtë gjithë jetën. Këtë ka bërë mes Metës dhe Nanos, e ka bërë me të gjithë. Është mjeshtër. Ai gjen terren. Rama e ka pasion intrigën.

Rama e ka pasion intrigën, nuk rri dot. E ka si zbavitje, është formë arti. Humanët nuk i sheh si njerëz, por si vepra arti, si lodra.

Nuk është çudi pse opozita është në këtë gjendje. Është në këtë gjendje sepse nuk honepsin njëri-tjetrin, pastaj Edi Rama është mjeshtër për ta shfrytëzuar", deklaroi Çani.