Këlliçi pas takimit me të rinjtë ekselentë: Për të rikthyer trurin në atdhe duhet të çlirojmë shtetin nga injoranca

Kandidati i PD për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi, përmes një statusi në rrjete sociale shprehet se e vetmja mënyrë për të kthyer trurin në atdhe është të çlirojmë shtetin nga injoranca që vegjeton zyrave.

Këlliçi në postimin e tij falenderon Andi Mustafajn dhe Elior Vila nga Departamenti Brain Gain pranë PD për organizimin e një takimi me të rinj e të reja brenda dhe jashtë vendit.

Statusi
Falenderoj Andi Mustafaj dhe Elior Vila nga Departamenti Brain Gain pranë PD për organizimin e këtij takimi me të rinj e të reja ekselentë brenda dhe jashtë vendit! Faleminderit Besart Xhaferri dhe FRPD që shihni tek ekselentët të ardhmen e shtetit shqiptar! 

E vetmja mënyrë për të rikthyer trurin në atdhe është të çlirojmë shtetin nga injoranca që vegjeton zyrave, nga paaftësia profesionale dhe kontigjenti i krimit me të drejtë firme që shpërblehen sepse vjedhin për kryetarin. 

Veçanërisht në dy vitet e fundit, i kemi parë sesi arrestohen njëri pas tjetrit të promovuarit me poste të larta drejtuese në Bashkinë Tiranë dhe në institucione të tjera. Shqipëria duhet të shkëputet përfundimisht nga ky model i tmerrshëm që shkatërron ëndrrat dhe ambiciet e të rinjve të saj! 

Puna në administratën publike dhe shërbimi ndaj qytetarëve është privilegj që nuk mund ta gëzojë kontigjenti i krimit. Ekselentët e vërtetë nuk pranojnë kurrë të jenë vartës të këtij kontigjenti, prandaj largohen nga Shqipëria. 

Ne si shoqëri duhet të bëjmë përfundimisht një zgjedhje! Me ekselentët apo me llumin, me vlerat apo antivlerat.