Heqja e barrikadave në veri/ BBC: Zbuten tensionet, mbetet mosbesimi

BBC

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës duket se janë zbutur pas një vendimi për heqjen e barrikadave që bllokojnë pikën kryesore kufitare.

Serbët etnikë në Kosovë filluan ngritjen e barrikadave më 19 dhjetor në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish-oficeri policie.

Vendimi për t’i dhënë fund bllokadës u mor pasi protestuesit zhvilluan bisedime në orët e vona të natës me presidentin e Serbisë.

Megjithatë, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar se mosbesimi në mesin e pakicës serbe të Kosovës mbetet i lartë.

Ai ka thënë se çmontimi i të gjitha barrikadave mund të zgjasë disa ditë.

Megjithatë, policia e Kosovës tha se Merdarja, pika kryesore kufitare e Kosovës me Serbinë, ishte rihapuer pas heqjes së postblloqeve në anën serbe.

Masa vjen vetëm disa ditë pasi ushtria serbe deklaroi se ishte në nivelin e saj më të lartë të gatishmërisë për shkak të rritjes së tensioneve me Prishtinën.

Kosova, e cila ka një shumicë dërmuese shqiptare etnike, u shkëput nga Serbia pas një lufte në vitet 1998-1999.

Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe as serbët etnikë që jetojnë atje.

Tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës janë ulur dhe ngritur që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.

Por ato kanë qenë veçanërisht të larta gjatë muajve të fundit, me serbët etnikë që kanë tërhequr të gjithë bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës.

Shkak ishte një përplasje për targat. Qeveria në Prishtinë kërkoi që serbët etnikë të dorëzojnë targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe t’i zëvendësonin me targa ‘Republika e Kosovës’.

Megjithatë, vetëm pak persona e zbatuan urdhrin përpara afatit të caktuar dhe plani i Prishtinës për të vendosur gjoba ndaj refuzuesve shkaktoi një dorëheqje masivë të serbëve etnikë nga të gjitha institucionet kombëtare të Kosovës në nëntor.

Kjo përfshinte policinë, me më shumë se 600 oficerë serbë etnikë që dorëzuan distinktivët e tyre.

Përpjekjet e BE, NATO-s (e cila ka trupa paqeruajtëse të dislokuara në Kosovë) dhe SHBA-së për të ndërmjetësuar situatën nuk arritën të bëjnë ndonjë përparim diplomatik.

Më pas, një ish-oficer policie serb, Dejan Pantiç u arrestua në fillim të këtij muaji me dyshimin se kishte sulmuar forcat e Kosovës, duke i ripërshkallëzuar tensionet.

Të mërkurën, një gjykatës në Kosovë urdhëroi lirimin e Pantiç nga paraburgimi.

Duke iu përgjigjur vendimit për çmontimin e barrikadave, kryeministria e Serbisë, Ana Brnabiç, shprehu të enjten falënderimet e saj për serbët në Kosovë ‘që gjetën forcën për t’iu përgjigjur terrorit brutal dhe agresionit’.

Megjithatë, ajo shtoi se nuk mendon se heqja e barrikadave do të nënkuptonte fundin e atyre që ajo i cilësoi ‘provokimet’ e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Nuk ka asnjë përgjigje zyrtare për heqjen e postblloqeve nga qeveria në Prishtinë.

BE dhe SHBA thanë se kanë marrë garanci nga autoritetet e Kosovës se protestuesit paqësorë nuk do të përballen me asnjë veprim ligjor.