Festa ‘ngacmuese’ e Martinez, Mbappe i përgjigjet portierit të Argjentinës: Messin e urova!

PSG u rikthye në aksion mbrëmjen e së mërkurës teksa kryeqytetasit triumfuan në shtëpi me rezultatin 2-1 ndaj Strasbourg. Në fakt, nuk ishte një ndeshje e lehtë për të besuarit e trajnerit Christophe Galtier që golin e suksesit e shënuan vetëm në minutën e 95-të me Kylian Mbappe që u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Ishte goli numër 13 për 24-vjeçarin në elitën franceze teksa pas sfidës, Mbappe nuk mund t’i shmangej edhe pyetjes në lidhje me festën ngacmuese në drejtimin e tij nga ana e portierit të Argjentinës, Emiliano Martinez. Ashtu si nga penalltitë, edhe në këtë rast, Mbappe u tregua i “ftohtë” dhe theksoi se nuk harxhon energji për t’u marrë me gjëra të kota.

“Festa që bëjnë lojtarët e tjerë nuk janë problemi im. Unë nuk harxhoj energji me gjëra të kota, për mua është e rëndësishme të jap më të mirën për klubin. Tani presim edhe Leo Messin të rikthehet dhe së bashku të shënojmë, të fitojmë ndeshje e të marrim rezultate. Fola me Messin pas finales së Botërorit, e urova.

Ai shënoi golin më të rëndësishëm të jetës në finale, po ashtu bëra edhe unë, por dështova. Ajo finale do të mbetet përgjithnjë një shenjë në jetën time, nuk do ta harroj kurrë, por duhet të theksoj se klubi i PSG nuk ka asnjë lidhje me atë që ndodhi në Katar dhe unë jam munduar të rikthehem me energji pozitive”, u shpreh Mbappe.