Vdiq duke kërkuar ndihmën ekonomike/ Viktima debatoi fillimisht me gruan e deputetit socialist

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Bashkisë së Lushnjës, ku një grua ka ndërruar jetë.

Bëhet me dije se viktima është Shpresa Cani, 48 vjeç nga fshati Çinar. Qytetarja ka shkuar në bashki për të kërkuar informacion se përse i ishte hequr ndihma ekonomike.

Burimet e SYRI TV thonë se fillimisht ajo ka qenë në zyrën e ndihmës ekonomike, ku është takuar me drejtoreshën Anila Çela, gruaja e deputetit Bujar Çela të Partisë Socialiste.

Pas një debati me tona të forta, Shpresa Cani ka shkuar në paradhomën e kryetares së bashkisë, Eriselda Sefa. Pikërisht këtu kanë ndërhyrë forcat e Policisë Bashkiake, që kanë tentuar ta nxjerrin me dhunë. Por 48-vjeçarja ka ndërruar jetë.

Ambulanca e Spitalit të Lushnjes mbërri në ambientet e bashkisë vetëm për të konstatuar vdekjen e saj. Në mënyrë të çuditshme, kryebashkiakja ka kërkuar të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.

Mesa duket kryebashkiakja ka marrë gjërat me radhë, fillimisht ka vendosur që të heqë "syrin e keq" nga Bashkia se ka zgjedhjet lokale para, në vend që të shkonte në policinë e qytetit që të japë llogari për atë që ndodhi në zyrën e saj, me një qytetare për të cilën mban përgjegjësi. E që tek e fundit kërkonte të drejtën e saj, paratë që i takonin, për të cilat humbi dhe jetën.