Jo vetëm punonjësja e AKSH-it, por në trafikun e drogës janë përfshirë edhe punonjës policie

Erisa Fero, 28-vjeçarja e vënë në pranga ditën e sotme nga policia e Pogradecit pasi u kap me 58 kg hashash në automjet është punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ajo mbante postin e shefes kompjuterike në këtë institucion. Droga ka qenë në automjetin e 28-vjeçares në momentin kur u ndalua nga policia.

Por në operacionin antidrogë ka qenë pjesë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa burime të siguruara na bëjnë me dije se dyshohet që në këtë hetim të jenë të përfshirë edhe dy punonjës policie. Këta policë janë të sektorit të qarkullimit rrugor.

Ky hetim po ndiqet me metoda speciale, ndërkohë që janë referuar materialet për shpërdorim detyre për të dyshuarit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë për përfshirjen e këtyre punonjësve të policisë. Kujtojmë se në këtë operacion u arrestua Erisa Fero, shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) dhe dy persona të tjerë.

Këta persona po transportonin 58 kilogramë drogë, dhe si destinacion lënda narkotike kishte Maqedoninë e Veriut.