'Pse ma hoqe ndihmën ekonomike'/ 48-vjeçarja vdes pas sherrit me kryetaren e Bashkisë së Lushnjes

Një 48-vjeçare nga fshati Çinar ka ndërruar jetë këtë të enjte në ambientet e Bashkisë së Lushnjes.

Gruaja, e identifikuar si Shpresa Cani, kishte shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse iu ishte hequr ndihma ekonomike. Pasi është paraqitur në zyrën e informacionit, ajo është drejtuar Drejtorisë së Ndihmës Sociale.

Sipas burimeve, viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.

Më pas 48-vjeçarja është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren Eriselda Sefa. Edhe aty ka pasur debat dhe tentativa për ta nxjerrë Shpresa Canin me dhunë nga zyra.

Shpresa Cani është ndjerë keq dhe është lajmëruar ambulanca e Spitalit të Lushnjes. Pas mbërritjes së ambulancës, gruaja kishte ndërruar jetë në vend. Pas kësaj ngjarjeje, Policia e Lushnjes ka referuar materialet në prokurori, për të hetuar shkaqet e vdekjes së 48-vjeçares.