Mziu: Kandidatët e 'primareve' i mbështet edhe grupimi i Alibeajt

Dy grupimet e Partisë Demokratike u bashkuan të mërkurën rreth një tryeze festive me ftesë të deputetit demokrat, Xhelal Mziu.

Ky i fundit, i ftuar mëngjesin e së enjtes në “Ditari” në A2 CNN u shpreh se dreka e djeshme ishte një gjetje për të shfrytëzuar festat si një mënyrë për ta çuar grupin drejt bashkimit.

Të pranishëm në këtë drekë nuk ishin ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj, dhe sipas Mziut arsyet e mungesës së tyre ishin objektive.

Sipas deputetit demokrat, Basha ndodhej jashtë shtetit, kurse Alibeaj kishte pasur agjendë të caktuar paraprakisht.

I ftuar mëngjesin e së enjtes në “Ditari” në A2 CNN, deputeti demokrat, Xhelal Mziu, u shpreh se, edhe pse nuk u arrit unifikimi i qëndrimit për të pasur kandidatë të përbashkët për zgjedhjet e 14 majit të vitit të ardhshëm, ekziston mundësia që një gjë e tillë të bëhet, por duke bërë disa arnime, apo ndryshime të kandidatëve të zyrtarizuar deri më sot.

“Duke marrë shkas nga bashkëpunimi, ose më saktë nga përcaktimi i dy personave, që do të ishin negociatorë, siç ishin z. Bardhi dhe z. Paloka, të cilët pothuajse shkuan drejt unifikimit të qëndrimit për të pasur kandidatët e përbashkët, por pa ndonjë arsye të fortë nuk u arrit që të konkludohej, unë them që ekziston mundësia dhe kjo mundësi mund të shfrytëzohet duke bërë edhe disa arnime, disa ndryshime të kandidatëve që kanë dalë deri më sot.”