'Fermerë mbillni kanabis, jo ullinj' - Iriqi bisedon me ministren Krifca

Iriqi:-Pse thatë para ca ditësh që faji pse nuk shitet vaji i ullirit e kanë fshatarët?

Krifca:-E them prapë. Fajin e kanë fshatarët, 100%.

Iriqi:-Po Braçe ju kundërshtoi.

Krifca: - Braçe ziu kundërshton veten. Ka plot ditë që thotë do largohet, do filloka një punë tjetër e hiç. Bën ende atë që ka bërë 30 vjet rresht.

Iriqi:-Kë?

Krifca:-Lehjen. E kur do që të zgjatet i jep qafës lart e klithma i del si kuisje koneje nervozoe.

Iriqi:-Po pse janë fshatarët me faj?

Krifca:-Sepse së pari nuk duhet të mbillnin ullinj.

Iriqi:- Mbjellja e ullirit asnjëherë nuk është gabim. Se historia e tradita…

Krifca:-Ti Iriq je me të vjetrën. Ka ecur bota. Fshatarët duhej të mbillnin kanabis.

Iriqi:-Po ligji e ndalon?

Krifca:-Ndalon ata që duan ta marrin vetë gjithë fitimin. Nëse katundari paguan policinë ajo ruan parcelën dhe fshatarin. Në se paguan doganierë e nxjerr jashtë pa frikë. E në se i jep diçka prokurorit i pastron paratë me investime në fshat,qytet a bregdet. 

Iriqi:- Pra po u mësoni rrugën e gabuar?

Krifca:- Po u mësoj rrugën e pasurimit. Tani le ta përdorin vajin e ullirit në plazh kundër diellit.

Iriqi:- Këtë mendim ka dhe Rama?

Krifca:-Ai kërkoi dje të ngre urgjent “Akademinë e Vajit të Kanabisit”.

Iriqi:-E ç’është kjo?

Krifca:- Si punë universiteti. Do trajnojmë fermerët që mos bëjnë vaj prej ullirit, por prej hashashit. Makineritë gati i kanë. Do ia kalojmë dhe Hollandës.

Iriqi:-Po me ullinjtë ç’do ndodhë?

Krifca:-Do heshtim sa të bëhen vaj gjithë ullinjtë.

Iriqi:-E më pas?

Krifca:-Më pas do shkojmë kontroll shtëpi më shtëpi. Do ua masim sasitë e vajit çdo familjeje dhe do u vendosim taksë për litër. Mendojmë që buxheti të fitojë afër 100 milionë euro.

Iriqi:-E ku do i gjejnë paratë fshatarët?

Krifca:-Hë për hë ashtu është. Por pas ca muajsh do i sulen farës së kanabisit dhe do gjelbërojnë male e kodra. Do lumturohemi të gjithë. Se dhe ti e di, kanabisi na bën me krahëëë, por dhe me…euro e dollarë.