Arrestimi i Viola Sterjos, publikohen denoncimet ndaj saj në Korçë e Pogradec, si mori miliona lekë…

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e Drejtoreshës së Mjedisit në Tiranë, Viola Sterjo.

Syri TV ka siguruar tre denoncime ndaj saj, nga qytetarë nga Korça dhe Pogradeci.

Në 12 dhjetor 2022 në prokurorinë e Korçës ka bërë kallëzim një qytetar nga Korça, i cili kishte një pronë në Voskopojë dhe donte të ndërtonte një hotel. Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, punonjesë e AKSH-it në atë kohë, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant.

Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë.

Një qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë Viola Sterjos shuma të ndryshme, 9 mijë euro si fillim dhe më pas 28 mijë euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1.2 milion euro për të ndërtuar një bujtinë.

Një tjetër qytetar nga Korça sipas Prokurorisë së Korçës i ka dhënë Sterjos 160.000 euro pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milionë euro.

Pas disa muajsh denoncuesi, i cili nuk e kishte përfituar grantin i ka kërkuar Sterjos t'ia kthente shumën e lekeve. Por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milionë euro do të shkonte në 4.5 milionë euro.

Një tjetër qytetari nga Korça, i cili së bashku me dy ortakë do ndërtonte një resort në Voskopojë, Sterjo i ka marrë 90 mije euro, duke e mashtruar se kishte bërë aplikim tek AZHBR për ndërtimin e resortit me vlerë 2 milionë euro. Nga shuma prej 90 mijë euro, Sterjo i ka kthyer denoncuesit 20 mijë euro, pasi ky i fundit ishte informuar se në emër të tij nuk ishte bërë asnjë aplikim për të përfituar financim. Me kontratë noteriale Sterjo i njihte detyrimin prej 90 mijë euro dhe nese nuk ia kthente brenda 6 muajsh, do linte si garanci banesën e vjehrrit t saj.