Kërcënim me eksploziv/ Mbyllet përkohësisht aeroporti i Kosovës

Policia e Kosovës njoftoi se për shkak të një kanosjes me mjete shpërthyese u mbyll përkohësisht aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë

"Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin.

Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës do të vazhdojë të ju mbaj të informuar lidhur me zhvillimet e mëtejme deri në hapjen e aeroportit për qarkullim," thuhet në vazhdim.

Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, nga ana e saj njoftoi: "Njoftim zyrtar! Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”.