Tensionet në veri/ Kurti godet Ramën: 'Ballkani i Hapur' me ndikim rus...

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë përditë e më e rrezikshme, ndërkohë që kryeministri shqiptar, Edi Rama ka zgjedhur personalisht të heshtë.

Por homologu i tij kosovar, Albin Kurti, në një intervistë për mediat boshnjake, ka hedhur akuza të forta ndaj Ballkanit të Hapur, projektit të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama.

Kurti tha se Beogradi është shkaku kryesor i problemeve në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, edhe projekti i Ballkanit të Hapur, ka ndikim rus.

“Mendoj se Ballkani Evropian është mjaft i hapur, dhe Ballkani i Hapur nuk është mjaftueshëm evropian. Ne kemi nevojë për një Ballkan demokratik dhe evropian, ndërsa Ballkani i Hapur dëshiron që Ballkani të jetë i hapur ndaj Federatës Ruse, ashtu siç Serbia është e hapur ndaj Federatës Ruse.

Ballkani i Hapur nuk është tamam një nismë që mund të vlerësohet realisht, por ka marrë shumë vëmendje mediatike. Unë nuk jam një politikan që besoj në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë dua Ballkanin Evropian. Por nëse flasim edhe për orientim politik, nuk besoj se Ballkani mund të ndërtojë diçka pa komunitetin evropian dhe pa NATO-n. Prandaj e kundërshtoj atë projekt,” tha Kurti.