Porti i Durrësit njëlloj si inceneratorët: Ngjashmëria mes dy aferave/ SYRI TV

Porti i jahteve në Durrës pritet të jetë një aferë identike me atë të inceneratorëve, pasi të dy projektet marrin jetë nga kompanitë guaska. Në te dyja aferat qindra milionë eurosh, qeveria premtoi investime nga kompani prestigjioze ndërkombëtare, por përfunduan në kompani offshore

SYRI TV

Ka të paktën tre elementë thelbësorë që mund të vendosin shenjën e barazimit ndërmjet aferës së inceneratorëve dhe asaj të Portit të Jahteve në Durrës. Kur nisi historia skandaloze e djegësave, kryeministri Edi Rama dhe qeveritarët e tij u premtuan shqiptarëve se procesi i incenerimit do të kryhej nga kompani prestigjioze ndërkombëtare.

Tashmë është e qartë për të gjithë që kontratat qindra-milionë euro u morën nga grupi Klodian Zoto-Mirel Mërtiri dhe të tjerë të panjohur që fshihen pas kompanive guackë në Holandë. Edhe në rastin e Portit të Jahteve, Rama premtoi investime nga kompania saudite "EMMAR", por përfundoi në guaska që notojnë sa nga Ishujt Kajman, në Dubai.

Për inceneratorët, Rama deklaroi se kompanitë koncesionare do t'i ndërtonin veprat infrastrukturore me kapitalet e tyre. Por kompanitë e inceneratorëve kishin kapital minimal 100 mijë lekë. Në mënyrë të njëjtë, kreu i qeverisë deklaroi se kompania e Portit të Jahteve në Durrës do të investojë fondet e veta. Marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë "Eagle Hill" tregoi se shoqëria zhvilluese ka kapital vetëm 35 milionë lekë të vjetra ose 30 mijë euro, ndërkohë që investimi parashikohet 2 miliardë euro.

Në rastin e inceneratorëve, kompanitë koncesionare, në mungesë të parave, morën kredi bankare, duke vendosur kolateral pikërisht marrëveshjen me qeverinë shqiptare. Edhe kompania që mori përsipër kompleksin rezidencial dhe Portin e Jahteve në Durrës, në mungesë të parave, ka nisur shitjen e ajrit nëpërmjet kontratave të porosive, për të siguruar fondet që do i duhen për vijimin e investimit.

Fillimi i të dyja aferave ngjan njëlloj. Mbetet për t'u parë se kur do të zbërthehet afera e Portit të Durrësit, siç po ndodh aktualisht me skandalin e inceneratorëve.