Atentati në Athinë, hetuesit rikthehen te dëshmia e një të penduari. Hakmarrja mes grupeve që çoi në burgje forcat speciale greke

Policia, Prokuroria dhe mediat greke prej ditësh, serialin e vrasjeve të dy shqiptarëve në Athinë, e kanë kthyer në qendër të vëmendjes. 

“Ujërat” u trazuan sërish nga vrasja e 18 majit në Nea Smyrni ku u ekzekutuan Kreshnik Çerçizaj e Armando Ogranaja dhe nga kontrolli i befasishëm i forcave speciale greke EKAM në burgun e Hanias, ku mes të tjerave u kontrollua dhe qelia e Klodian Lekocajt, i ashtuquajtur kreu i “mafies së burgjeve”. Seriali i vrasjeve nisi në mes të viteve 2000 e që çdo vit që kalon, më shumë ngjarjet lidhen me njëra-tjetrën për shkak se seriali, dëshmitë dhe përgjimet çojnë në një hakmarrje të pafre mes grupeve kriminale, që në fakt e kanë shtrirë aktivitetin edhe në vendin tonë.

Dëshmia e gardianit

Një dëshmi lidhur me vrasjen e Ari Papës nga Saranda, ekzekutorin e të cilit policia greke po e heton nëse ka lidhje dhe me vrasjen e para dy javëve. Ndërkohë, një gardian grek deklaroi para gjykatës se Arin ka dashur ta vrasë në burg edhe Klodian Lekocaj. Investigimi vazhdon me një tjetër vrasje, atë të 8 qershorit 2008, të 22- vjeçarit shqiptar Elvis Bogdani.

Në fakt Bogdani është viktimë e një seriali vrasjesh, konkretisht 11 të tilla dhe 13 tentativa të ndodhura në 2007-2008 dhe për të cilat u shkatërrua një grup kriminal shqiptar i përbërë nga Dashamir Kasemi, Kreshnik Kasemi, Roland Cara dhe Bledar Ahmetaj, si pjesëmarrës në këtë konflikt mes grupeve shqiptare që la pas dhjetëra viktima.

Seriali duket se nuk ka fund, pasi në maj 2021 u vra në Athinë sarandjoti Ari Papa, pjesë e këtij grupi, i cili i kishte shpëtuar 3 atentateve të mëparshme. Ndërkohë, prokuroria greke ka publikuar të dhëna që lidhen me dëshminë e një personi që sipas tyre është shqiptar dhe është penduar. Rrëfimi i tij i takon vitit 2014, i cili, sipas autoriteteve greke ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së Elvis Bogdanit 14 vjet ma parë duke përjashtuar nga autorësia shtetasin Dashamir Kasemi dhe duke akuzuar atë që konsiderohet si kreu i mafies së burgjeve, Klodian Lekocajn.

Dëshmia e të penduarit

Shqiptari që thuhet se është 38 vjeç, emri i të cilit nuk bëhet i ditur ka deklaruar: “Viktima jonë e radhës mbërriti në pikën ku e pritëm gjysmë ore me një ‘Audi’. Ai parkoi mu para nesh. Të afërmit e tij femra kanë dalë fillimisht dhe janë larguar 15 metra nga makina dhe më pas ka dalë Visi. Më pas qëlluam të dy me kallashnikov. I kemi qëlluar shumë plumba, nuk mbaj mend sa. Visi ra aty, pranë makinës së tij. Pastaj bashkëpunëtori im shkoi me Tokarev dhe e qëlloi në kokë.

Nuk e mbaj mend sa herë ndërsa ishim duke pirë disa pije me bashkëpunëtorin tim Ari, ai u hap dhe më tha se kishte një çështje të rëndë me një mik të tij. Ai kishte kryer disa grabitje me të dhe nuk i kishte dhënë pjesën e tij. Po flasim për shumë para. Në një grabitje kanë marrë 350 mijë euro. Informacioni për grabitjet është dhënë nga Klodian Lekocaj dhe duhej të merrte edhe ai një pjesë, por nuk kishte marrë asgjë. Ai më tha se Klodiani dhe Ari donin të vrisnin shokun e tyre”. Kujtojmë se në gjyqin që u bë ndaj bandës së Dashamir Kasemit në fund te viteve 2000, ky i fundit mes të tjerash deklaroi: “Më akuzojnë padrejtësisht. Kam përshtypjen se përfshirjen time e ka bërë Klodiani, i cili ka dhënë 74 informacione në polici për të dalë nga burgu”.