Protesta: Vlerësim të drejtë të pronave ose do të hidhemi mbi fadroma

Banorët e fshatit Bërxull të Tiranës që po protestojnë sot edhe përpara ambasadës së SHBA-së në Tiranë deklaruan se janë të vendosur të shkojnë deri në vetëflijim për shtëpitë dhe tokat që iu copëtohen nga projekti i rrugës Thumanë - Kashar, që po iu merren pa u kompensuar me drejtësi nga shteti. Ata bënë të qartë se kërkojnë vlerësimin e pronës, rrugën dytësore dhe nënkalimin për fshatin në të cilin duan të vazhdojnë të jetojnë.

Një zonjë, besimtare, me shami, tha: “I drejtohemi zonjës Kim, se mjaft iu drejtuam zonjës Belinda Balluku dhe zotit Kryeministër. Janë mbështjellë me atë petkun e ndyrësirës dhe s’po hiqen nga ai petk. I drejtohemi ambasadores të na japin të drejtën, duam  vlerësimin e pronës, duam rrugë dytësore dhe duam nënkalimin dhe nuk e lëshojmë. Unë e kam mbaruar jetën time me gjak do ta mbroj pronën, do të hidhem mbi fadromë e nuk do ta lëshoj pronën për fëmijët e mi, ata gjashtë fëmijë që i kam rritur me paguret e qumështit në krah. Është krim ky që bëjnë këta ndaj nesh!"

Zotëria pas saj, tha: “Ne nuk kemi lënë dikaster pa iu drejtuar me kërkesat tona. Ta dëgjojë dhe Europa që tek ne nuk gjenden asnjë e drejtë, as një marrëveshje, as një program pune, pronat na i copëtojnë mes për mes dhe pronat tona dalin të pavlefshme, pa rrugë, pa nënkalime dhe pa asnjë lloj shpronësimi. Ata do t’i zaptojnë tokat me forcë dhe ne jemi njerëz me familje, me blegtori, nuk e dimë ku do të shkojmë. Presim dita ditës të na jepet një vlerësim. I lutem ambasadës amerikane që ta shqyrtojë këtë dhe ne presim dita-ditës me fëmijët tonë.”