Irani proteston në të 100-ën ditë: 'Nuk ka kthim mbrapa'

Njëqind ditë pasi filluan, protestat më të gjata antiqeveritare në Iran që nga revolucioni islamik i vitit 1979 kanë tronditur regjimin, por me një kosto të rëndë për njerëzit.

Më shumë se 500 protestues, duke përfshirë 69 fëmijë, janë vrarë, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA). Dy protestues janë ekzekutuar dhe të paktën 26 të tjerë përballen me të njëjtin fat, pas atyre që Amnesty International i quan “gjyqe të rreme”.

Megjithëse demonstratat mbarëkombëtare kanë përfshirë Iranin më parë - një herë në 2017 që zgjatën deri në fillim të 2018 dhe një tjetër në nëntor 2019 - protestat aktuale janë unike, pasi ato përfshijnë njerëz nga e gjithë shoqëria dhe gratë po marrin një rol udhëheqës nën sloganin "Gruaja, Jeta, Liria”.

Disa të famshëm iranianë kanë ndërmarrë hapa të pakthyeshëm për të mbështetur protestat, duke çuar në arrestimin ose internimin e tyre.

Taraneh Alidoosti, një aktore e njohur iraniane, po mbahet në burgun famëkeq Evin pasi dënoi ekzekutimin e një protestuesi të ri. Paraprakisht ajo ka publikuar një foto pa shaminë e detyrueshme, ku mbante një tabelë me sloganin e protestuesve.

"Kam punuar me Taraneh në katër filma dhe tani ajo është në burg për mbështetjen e drejtë të bashkatdhetarëve të saj dhe kundërshtimin e saj ndaj dënimeve të padrejta që po jepeshin," shkroi Asghar Farhadi, i cili drejtoi Alidoosti në filmin e tij fitues të Oskar "Shitësi".

“Nëse shfaqja e një mbështetjeje të tillë është krim, atëherë dhjetëra milionë njerëz të kësaj toke janë kriminelë”, shtoi Farhadi.

'Kërcënimet me vdekje'

Një tjetër aktore e shquar iraniane që është larguar nga vendi, Pegah Ahangarani, i tha BBC Persian: "Të dyja palët kanë qënë të radikalizuara, regjimi në goditjen e tij dhe njerëzit në industrinë e filmit në reagimin e tyre.

"Irani nuk mund të kthehet në epokën që ishte para vdekjes së  Mahsa Amini", duke iu referuar gruas kurde iraniane, vdekja e së cilës në paraburgimin e policisë morale të Iranit më 16 shtator shkaktoi protesta.

Hamid Farrokhnezhad, një tjetër aktor i njohur iranian, u transferua në SHBA në fillim të këtij muaji dhe e quajti menjëherë udhëheqësin suprem iranian Ali Khamenei një "diktator", duke e krahasuar atë me Frankon, Stalinin dhe Musolinin.