'Messi dhe arabët' - Nga Daut Dauti

Nga Daut Dauti

Pa kaluar një javë, një arab nga Omani i ofroi Messi-t, një milion dollarë për Bishtin që i dhuroi emiri i Katarit me rastin e shpalljes së Argjentinës, kampione e futbollit në botë. 

Messi është edhe ambasador i Arabisë Saudite për turizëm, punë për të cilën ai merr rrogë të majme. 

Nuk janë vetëm paratë që e lidhin Messi-n me arabët.  Në fakt, në Argjentinë ekziston një klimë e favorshme për arabët dhe nga ky mes, del Messi. 

Në këtë shtet jetojnë rreth 4 milionë arabë. Prej tyre 1 milion janë myslimanë dhe shumë të rëndësishëm për jetën ekonomike dhe politike të Argjentinës.  Myslimanët në këtë shtet nuk kanë ankesa pasi ky vend nuk ka diskriminime ndaj tyre. 

Nga mesi i myslimanëve arabë të Argjentinës ka dalë edhe Carlos Menem, njëri ndër kryetarët e suksesshëm të këtij vendi.  Menem ka qenë mysliman, por thuhet se është konvertuar i krishter kur ka hyrë në politikë.  Disa thonë se është konvertuar sa për sy e faqe dhe me qëllim për përparim në një shoqëri konservative katolike, por kjo nuk ka shumë rëndësi.   Me rëndësi është që arabët e ndjejnë veten mirë në Argjentinë. 

Pra, Messi nuk është zgjedhur rastësisht ambasador i Arabisë Saudite. Messi është personaliteti më i popullarizuar ndër arabët gjithkund. Adhurimi ndaj tij është shtuar edhe me faktin se ai është përkrahës i Palestinës.  Duhet kujtuar se Messi ka qenë ai që refuzoi që Argjentina të luante me Izraelin në Jerusalem, pasi nuk e pranonte për kryeqytet të Izraelit. 

Pra, Messi, sikurse edhe futbolli, është punë edhe e qëndrimeve politike.