Serbi, treni me amoniak del nga shinat, dhjetëra njerëz përfundojnë në spital me helmim

Beograd, Serbi - Një tren mallrash që transportonte amoniak doli nga shinat në Serbinë lindore të dielën, duke sëmurur dhjetëra njerëz dhe duke mbyllur një autostradë kryesore ndërkombëtare, thanë zyrtarët.

Në qytetin e Pirotit është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ku autoritetet u kanë thënë banorëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Dhjetëra njerëz, mbi 50, u shtruan në spital, njoftuan mediat shtetërore serbe.

Për shkak të dukshmërisë së kufizuar që thuhet se është shkaktuar nga rrjedhja, disa makina u përplasën në autostradën kryesore që të çon në Bullgari në një kohë trafiku të ngjeshur për shkak të festave të Krishtlindjeve.

Policia mbylli autostradën dhe e ktheu trafikun në rrugët lokale. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi daljen e trenit nga shinat.

Rrjedhjet e gazit të amoniakut mund të jenë të ndezshme dhe mund të shkaktojnë lëndime serioze apo edhe vdekje.

Në Qendrën Spitalore Klinike në Nish janë trajtuar 15 pacientë nga helmimi me amoniak, prej tyre 12 të rritur dhe tre fëmijë dhe asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, raportoikorrespondenti i Tanjug.

Sipas tij, ata janë shtruar në spital dhe janë në terapi intensive dhe të gjithë fëmijët kanë parametra të qëndrueshëm jetësorë.

Fabrika e ujit në Nish është fikur mbrëmë pas orës 21:00 dhe sipas informacioneve nuk ka rrezik për ujësjellësin e Nishit, aq më tepër që qyteti furnizohet nga tre burime, ndërsa i katërti aktualisht është i bllokuar për masa paraprake.