'Lojërat e Vuçiçit dhe të instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë! Barrikadat duhet të hiqen'

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi Presidentin e Serbisë për trazirat që po shkakton në Veri të Kosovës. Në mesazhin e fundit në Fb, Sveçla deklaroi:

“Lojërat e Vuçiçit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale.

Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t'i mohojnë të gjitha sulmet.

Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet.

Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit.”