Aksident me 50 të plagosur në Kanada, autobusi përplaset në autostradë si shkak i motit të keq

Më shumë se 50 persona po trajtohen në spitale të ndryshme në Kanadanë perëndimore pas një aksidenti me autobus në një autostradë në British Columbia.

Shkaqet e aksidentit mbeten të paqarta për momentin. Megjithatë, kjo zonë, 3 orë në lindje të Vankuverit, është goditur nga një stuhi e fortë dëbore ditët e fundit.

Gjithsej 53 persona janë dërguar në tre spitale të ndryshme dhe shërbimet shëndetësore kanë mobilizuar stafin e njësisë së kujdesit intensiv. Autoritetet megjithatë nuk ishin në gjendje të jepnin informacione të mëtejshme për gjendjen e tyre shëndetësore.

Në Ontario, moti i keq nxori nga shinat një tren mallrash të shtunën, duke rezultuar në anulimin e të gjitha shërbimeve të sotme Toronto-Otava dhe Toronto-Montreal.

Më herët, rënia e një peme mbi një vagon dhe ndërprerjet e energjisë elektrike shkaktuan vonesa të gjata në shërbimet e trenave. Shumë pasagjerë që donin të udhëtonin nga Otava në Toronto u detyruan të prisnin gati 18 orë dhe disa vendosën të largoheshin me rrugë.