Ndarja nga jeta e Frattinit, Meta: Ishte përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin në NATO dhe integrimin europian

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar me një postim në faqen e tij në facebook pas lajmit të ndarjes nga jeta të politikanit të lartë italian Franco Frattini.

“Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian”, shkruan ish presidenti Meta.

Mesazhi i plotë:

Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.

Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve!