Prençi: Rama, i pozicionuar në krahun e atyre që mund të kenë vrarë Ervis Martinajn

Ish-drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi thotë se  kryeministri Edi Rama është i pozicinuar në krahun e atyre që mund të kenë vrarë të shumëkërkuarin, Ervis Martinaj.

I ftuar në emisionin ‘Review’, Prençi u shpreh se Rama, kur prezantoi Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, tha se uniformat blu duhet t’i thonë opinionit publik, nëse Martinaj është i gjallë apo i vrarë.

Sipas Prençit, kreu i qeverisë nuk ka bërë thirrje që autorët të cilët mund të kenë vrarë Martinajn, të vihen para drejtësisë.

Prençi: Më ka bërë përshtypje një gjë shumë serioze. Kryeministri thotë, për policinë ka dy opsione. Ta gjejnë, nëse është i vrarë, të gjendet dhe t’i thuhet opinionit publik se është i vrarë. Nëse është i gjallë, të gjendet e të vihet para drejtësisë. Në asnjë nga opsionet nuk thotë që të gjenden autorët që e kanë vrarë dhe të vihen para drejtësisë. Besoj se isha i qartë. Kryeministri thotë në prezantimin e drejtorit të ri të policisë, nëse është është i vrarë, të gjendet dhe t’i thuhet opinionit publik se është i vrarë.

Nëse është i gjallë, të gjendet e të vihet para drejtësisë. Por nuk thotë te e para, nëse është i vrarë, të gjenden autorët dhe të shkojnë para drejtësisë, ndërsa për atë t’i thotë opinionit publik që është i vrarë. Që këtu, kryeministri i Shqipërisë është i pozicionuar në krahun e atyre që mund ta kenë vrarë, megjithëse kam thënë që e dua Ervis Martinajn të gjallë.