Fenomeni në Pustec/ Pollo: Banorët deklarohen herë maqedonas, herë bullgarë - sipas ndihmave që marrin

Vizita e Kyriakos Mitsotakis në Himarë dhe dy zonat e minoritetit, Derviçan dhe Finiq riktheu edhe njëherë debatet për rrezikun që mund t'i kanoset jugut të vendit nga greqizimi. 

Mitsotakis kërkoi më shumë të drejta për pakicën greke, por duke insistuar se banorët duhet të kenë të drejtën e vetëdeklarimit. 

Mirëpo, sa efektiv dhe i vërtetë mund të jetë vetëdeklarimi?

Ish-ministri i Arsimit në qeverinë e PD, Genc Pollo tregoi në Çim Peka Live atë që ndodh me pakicën maqedonase të Pustecit, të cilët në varësi të ndihmave që marrin deklarohen herë maqedonas dhe herë bullgarë. 

"Ne kemi përvojën e pakicës maqedonase në Pustec. Kur shkonte me ndihma një delegacion nga Maqedonia, të gjithë deklaroheshin maqedonas. Kur pas një muaji shkonte një delegacion nga Bullgaria, se ata kanë një rivalitet të tmerrshëm që ne nuk e kuptojmë se na duken shumë të afërt me njëri-tjetrin kulturalisht, por kur flasin njëri-tjetrin dëgjojmë gjëra të papritura, deklaroheshin bullgarë. Këto gjëra ndodhin", tha Pollo.