Durrës/ Protestë kundër ndërtimit të Velierës: 9.3 mln € për një vepër të panevojshme

Ndërtimi i Velierës ka ngritur sërish në protestë Shoqërinë Civile në Durrës. Vepra e cila ka kushtuar plot 9.3 milion euro, shihet nga qytetarët si kriminale dhe abuzive, ndërsa e kanë krahasuar edhe me një tualet.

Syri Tv

Qytetarë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile në Durrës kanë protestuar sërish kundër ndërtimit të Velierës. Protestuesit e quajnë objektin të panevojshëm dhe abuziv, pasi po shpërdoron 9.3 milion euro para publike.

"Në fazën e parë janë investuar 4.5 mln euro. Pastaj është bërë një shtesë kontraktuale 800 mijë euro që janë investuar këtu. Pastaj kemi patur fazën 2 dhe 3 ku janë investuar rreth 1.9 mln euro. Dhe sipas institucionit të bashkisë Durrës do të bëhet edhe një tenderim tjetër i cili është në vlerën 2.1 mln euro. Praktikisht, do të kemi një total investimi prej rreth 9.3 mln euro. Kjo vepër është e panevojshme, e shëmtuar dhe jo funksionale", tha një prej protestuesve. 

Ndër të tjera, qytetarët e kanë krahasuar këtë vepër me një tualet publik, duke sjellë edhe një të tillë si simbol.

"Tamam si një WC e vërtetë kjo Velierë".

"Ne kemi menduar ta bëjmë funksionale si vepër dhe kemi menduar që t'i dhurojmë institucionit të Kryeministrisë dhe bashkisë së Durrësit një WC publike në mënyrë që propjekt i Velierës ku ne po investojmë gjithë këtë shumë ta ketë një funksion".  

Shoqëria Civile vazhdimisht ka protestuar për Velierën, me pretendimin se është ndërtuar mbi zonë arkeologjike, e tashmë taksat e qytetarëve i vjel “Veliera”.