SYRI TV/ Rama fal pronën publike në Portin e Durrësit, paratë e shqiptarëve në duart e investitorit

Qeveria e ka kthyer investimin strategjik në Portin e Durrësit, në krim  ndaj qytetarëve shqiptarë.  Revista Monitor në një analizë të saj, shkruan se shteti përveçse i  dhuron investitorit pronën publike, po i fal atij edhe paratë e taksapaguesve, që mund të përdoreshin për zhvillimin e qytetit. Ndërkohë, nga ana tjetër, diskriminohen sipërmarrësit e lirë të cilët detyrohet të investojnë nga xhepi i tyre në sektorin e turizmit, pa asnjë ndihmë nga shteti.

Nga SYRI TV

Qeveria shqiptare përdor dy standarte me zhvillimin e investimeve në vend, sidomos në Durrës, ku interesi në sektorin e hotelerisë ka qenë i shtuar vitit e fundit për shkak të ndikimit të drejtëpërdrejtë në ekonomi.

Në një analizë të saj, revista “Monitor” shkruan se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna për hotele në vend u shumëfishua duke arritur në nivelin rekord prej 419 mijë metra katrorë në 2019-n.

Këto investime ishin nisma private të sipërmarrësve, të realizuara me kredi.  Qeveria, nga ana e saj, ishte shumë e ngadaltë të ndiqte ritmin e shpejtë të investimeve. Por kur vjen puna te projekti i shumëdebatuar “Durres Jacht&Marina”,  shteti nuk ishte kaq i ngadaltë dhe i pavëmendshëm. Dhe sipas Monitor, në Portin e Durrësit, qeveria shqiptare e ktheu investimin në krim strategjik.

Në këtë projekt ku qeveria është aksionere me 33%, e mori me shpejtësi statusin e investitorit strategjik.

Krahas këtij statusi, qeveria i ka dhënë të drejtën të përdorë tokën shtetërore prej 80 hektarësh.

Sikur të mos mjaftonin këto, investimi strategjik është përjashtuar dhe nga taksa të tjera.

Vetëm nga falja e taksës së infrastrukturës dhe e strehimit social, shteti ka vënë në dispozicion të investimit strategjik 150 milionë euro të cilat do të mund të përdoreshin nga pushteti lokal për zhvillimin e qytetit.

Ndërsa vetëm trualli i projektit ka një vlerë, me çmimet e sotme të tregut prej rreth 400 milionë eurosh.

Për hir të një investimi strategjik, me një vlerë të deklaruar prej mbi 2 miliardë eurosh, të gjitha këto do të ishin të pranueshme, teksa përfitimet që ai do të sillte në ekonomi, turizëm dhe punësim, do ta tejkalonin disa herë vlerën e aseteve publike të dhuruara dhe të parave të taksapaguesve të falura.

Por, sa më shumë bëhen publike detaje nga projekti, aq më tepër është e qartë se ky vetëm një investim strategjik nuk është.

Nga sipërfaqja e ndërtimit, rreth 93% do të jetë sipërfaqe rezidenciale, ndërsa do të ketë pak hotele me rreth 850 dhoma.

Investimi fillestar i kërkuar është vetëm 180 milionë euro dhe marrëveshja mundëson shumë lehtësi në skemat e financimit. Të dhurosh pronën publike, ta mbështesësh me infrastrukturë dhe të falësh paratë e taksapaguesve për një projekt të pasurive të paluajtshme, si ato që kanë ndodhur rëndom në vend gjatë 30 viteve të fundit, ku investitori mbledh paratë përpara shitjes së apartamenteve, është një krim që bëhet ndaj të gjithë qytetarëve të vendit.

Ndërkohë ky është edhe diskriminim kundrejt sipërmarrësve të tjerë që sot po përpiqen pa asnjë ndihmë nga shteti, të mbijetojnë ndaj pasojave të pandemisë dhe kostove të rritura të operimit të aktivitetit.