Vdekja e 32-vjeçarit nga dhëmballa/ Spitali: Infeksioni ishte i rëndë

Prindërit e të riut Gentian Ihsaj, që humbi jetën pasi mori mjekim për dhimbjen e dhëmballës, kanë treguar se si u përkeqësua shëndeti i 32-vjeçarit pasi u kthye në shtëpi.

Ai kishte shfaqur shqetësim dhe ishte ënjtur ndaj prindërit i kishin sugjeruar që të shkonte në Ersekë tek dentisti, i cili i kishte dhënë ilaçet.

Nëna rrëfen se sapo mbërriti në shtëpi në fshatin Kagjinas, 32-vjeçari ishte mbuluar me djersë dhe vazhdonte enjtja e fytit ndërsa kishte konsumuar ilaç pluhur menjëherë pas vizitës te mjeku stomatolog. Ajo pati një bisedë të shkurtër me djalin, i cili ishte futur brenda në shtëpi për t’u shtrirë se nuk ndihej mirë. Pasi mbaroi punët që kishte jashtë, nëna u fut brenda dhe u trondit kur pa djalin akull të ftohtë dhe nuk reagonte kur e thërriste.

Menjëherë kërkoi ndihmë nga fqinjët, të cilët lajmëruan ambulancën, por nuk pritën derisa të vinte dhe u nisën vetë që ta çonin drejt spitalit. Teksa po transportohej me automjet privat, bashkëfshatarët hasën ambulancën në gjysmë të rrugës dhe mjekët konstatuan se kishte humbur shenjat e jetës.

Prindërit presin përgjigjen e autopsisë për të mësuar çfarë i shkaktoi vdekjen djalit në moshë të re, ndërsa thonë se nuk kishte sëmundje të tjera.

Burime nga spitali bëjnë me dije për SYRI TV se 32-vjeçari ka patur probleme prej ditësh me dhëmballën. Infeksioni i ka prekur të gjithë gojën dhe një pjesë të organeve.

Fakti që s’është mjekuar më parë, ka agravuar shumë gjendjen shëndetësore, ka qenë në një gradë që nuk i shpëtohej dot jeta. Infeksioni i madh në organe dhe në gjak ka sjellë vdekjen e 32-vjeçarit.