Hyqmet Zane: Çamët luftuan kundër nazi-fashistëve. Kemi heronj të kësaj lufte - akuzat e Greqisë, shpifje!

Shkrimtari Hyqmet Zane, me origjinë nga Filati i Çamërisë, dënon deklaratat e zyrtarëve grekë se çamët kanë bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë. 

Në një lidhje telefonike për Çim Peka Live, Zane u shpreh se babai i tij është arrestuar në Çamëri nga gjermanët dhe është dërguar në kampe përqendrimi. Ndërsa kur u lirua dhe u kthye në vendlindje, u kërcënua nga grekët që të largohej ose do ta vrisnin. 

Zane tha gjithashtu se çamët kanë heronj të rënë në luftën kundër nazi-fashistëve dhe nuk përmenden, ndërsa akuzat e zyrtarëve grekë i cilëson të padrejta dhe shpifje. 

"Unë jam djali i një ish të internuari në kamp përqendrimi në Gjermani, nga Greqia. Kur u kthye në Filat i thanë ik se do të të vrasim. Erdhi në Shqipëri. Babai im është dekoruar nga ish-presidenti Alfred Moisiu për luftën anti-fashiste dhe pjesëmarrës në kampet e përqendrimit. Ish-presidenti Bujar Nishani takoi të gjithë përfaqësuesit çamë që mnorën pjesë në luftën anti-fashistë, ndërsa grekët na akuzojnë në mes të Tiranës se jemi bashkëpunëtorë të nazi-fashistëve. 600 luftëtarë nga Çamëria morën pjesë në luftë. Janë 22 dëshmorë të luftës që ranë në Greqi. Pse nuk përmenden? Ç'është kjo shpifje, kjo padrejtësi që bëhet nga të gjithë kryeministrat dhe ministrat e jashtëm që vijnë në Shqipëri? Pse nuk del një qeveritar, një ministër i jashtëm, apo edhe komuniteti i veteranëve që ta përgenjështrojë? Burra çamë, Teme Sejko, Taho Sejko luftuan me brigadat edhe matanë kufirit për çlirimin e tokave shqiptare. E megjithatë, nuk mund të akuzohen, janë luftëtarë që morën pjesë kundër nazi-fashizmit. Kjo është historia që flet. Akademikë dhe studiues grekë kanë folur për shumë gjëra, edhe për Çamërinë", tha Zane.