Gjiknuri: Benet Beci, kandidat i përshtatshëm nga PS për Shkodrën

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri teksa ndodhej në një konferencë për gazetarët u pyet dhe në lidhje me kandidaturat për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ai u pyet nëse Benet Beci do të jetë kandidati i PS-së për Bashkinë e Shkodrës. Gjiknuri tha se do të ishte një “emër i përshtatshëm”.

“Natyrshëm që mund të ketë shumë deputetë të cilët do të dëshironin të kandidonin për kryetarë bashkie, nuk ka asgjë të keqe. Përgjithësisht, qasja jonë ka qenë që deputetët të kryejnë punën e tyre si deputet, por edhe Beneti është një kandidaturë jashtëzakonisht e mirë, një kandidaturë që do t’i bënte nder Shkodrës.

Me këtë nuk konfirmoj që do të jetë Beneti sepse ai, si shumë kandidatë të tjerë do t’i nënshtrohen një procesi konsultues brenda partisë, përtej partisë, me qytetarët e Shkodrës, me opinionet për të parë edhe shanset se sa të mëdha i ka për t’u zgjedhur apo për të bërë edhe një garë dinjitoze për Partinë Socialiste”, theksoi ai.

“Në fakt shumë shpejt kryesia e PS do të miratojë dhe një udhëzim që do të jetë pjesë e një procesi që do të zbatohet në të gjithë strukturat e partisë, që ka të bëjë me konsultimet qoftë për kandidatët për kryetarë bashkie, qoftë dhe për listat e këshilltarëve.

Së pari ne do të vazhdojmë traditën e konsultimeve me strukturat e partisë dhe përtej strukturave të partisë dhe një alternativë tjetër do të jetë sondazhi për të marrë mendimin e qytetarëve. Na duhet një kandidat që është përtej grupimit partiak. Nga kjo pikëpamje PS ka zgjedhur këtë strategji dhe do i shkojmë deri në fund”, tha Gjiknuri.