‘Lufta ndryshoi gjithçka’: Ankthi i familjeve ukrainase që po i kalojnë Krishtlindjet të ndara

Me pushtimin e Rusisë që ende po vazhdon, familje të panumërta ukrainase po përballen me dhimbjen e kalimit të kësaj periudhe festive të ndara. Ky është në veçanti rasti i miliona ukrainasve që kanë ikur nga atdheu i tyre këtë vit dhe kanë lënë pas të dashurit e tyre.

Anna Polukhina, një 37-vjeçare nga Mariupoli, është një prej tyre.Tani ajo po jeton në një qendër refugjatësh në Milano dhe tregoi për Euronews se është e vështirë të festosh Krishtlindjet kur familja e saj në atdhe jeton në një zonë lufte. Ajo tregoi se shtëpia e nënës së saj ishte shkatërruar.

"Familja është diçka shumë e rëndësishme," tha ajo. "Është gjithçka. Por lufta ndryshoi gjithçka. Mund të mos kem mundësi të flas me familjen dhe të gjithë të afërmit e mi atje,” tha, duke shtuar se është e vështirë t'i kontaktosh ata në Mariupol, i cili është i pushtuar nga forcat ruse.

“Është shumë e vështirë. Dua ta dëgjoj mamin, t'i flas asaj”, shtoi ajo.

Qendra e refugjatëve po bën të pamundurën për ta ngritur moralin e saj. Për ta do të organizohet një festë e veçantë dhe Polukhina do të përgatisë gatime tradicionale ukrainase me shoqet me të cilat jeton.

"Ata kanë vendosur dy pemë Krishtlindjesh... është vërtet bukur," tha ajo. "Mund të ketë surpriza për ne, për fëmijët. Ata i kanë shkruar letra Santa Claus-it, ndoshta do të ketë dhurata për të gjithë ne”.

Elizabeth Pulvas, një refugjate ukrainase në Bukuresht, është në një pozicion të ngjashëm me Anën. Ky do të jetë gjithashtu viti i parë që 23-vjeçarja ukrainase nuk do të jetë në gjendje t'i kalojë Krishtlindjet me familjen e saj, e cila ka mbetur në Kiev.

“Është mjaft e vështirë të kuptohet se nuk ka mundësi që të gjithë ne të bashkohemi në një vend,” tha Pulvas.

Për festat e vitit të kaluar, ajo ka pasur një darkë të madhe Krishtlindjesh në janar me miqtë e saj ku ka gatuar 12 pjata të ndryshme për të festuar. As dy muaj më vonë, Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, duke e detyruar Elizabetën të ikte në Rumani.

“Të gjithë më thoshin, o, je çmendur. Pse po gatuan gjitha këto pjata?! Mendova, jo, dua ta bëj këtë”, tha ajo, duke shtuar se tani po i vlerëson shumë festime që kanë bërë një vit më parë.