Djali i Sorosit pagoi për legalizimin e drogave të forta, pse ishte i ftuar në darkën zyrtare të Biden?

Nga Quin Hillyer, Washington Examiner

A e morët vesh për djalin presidencial Hunter Biden, djalin e George Sorosit, epideminë e heroinës në Oregon dhe darkën shtetërore në Shtëpinë e Bardhë në nderim të presidentit francez Emmanuel Macron?

Nuk është barsoletë. Është thjesht një farë loje “bashkoni pikat” politike, konsiderueshëm por jo tërësisht rastësore. Ajo ka brenda një logjikë bazike që thotë po, Demokratët e Bidenit vërtet nuk shqetësohen nga varësia ndaj drogës apo nga të qenit vasalë të sipërmarrjes së Sorosit për prishjen e shoqërisë civile amerikane.

Le ta nisim me zhvillimin më të fundit, që është publikimi këtë javë i formularëve nga ana e IRS në lidhje me fushatën e suksesshme në shtetin Oregon më 2020 në thelb për legalizimin e heroinës, kokainës, metamfetaminës dhe drogave të tjera të forta. Është një nga katastrofat më të këqija politike publike e kohëve të fundit. Niveli i varësisë dhe patologji të tjera tashmë po shpërthejnë në atë shtet, ndërsa stimujt e supozuar për njerëz që kërkojnë trajtim për varësinë kanë dështuar në mënyrë spektakolare e tragjike.

Dokumentet e IRS tregojnë se një nga donatorët më të mëdhenj për implementimin e ligjit të gabuar ishte Open Society Policy Center, një operacion parësor i miliarderit majtist George Soros, në bordin prej katër personash të të cilit Alex Soros, djali i George Soros, është lojtar kyç. OSPC dha 690 mijë dollarë për fushatën. Njësi të tjera të Sorosit dhuruan 150 mijë dollarë të tjerë për të njëjtën fushatë. Një vit më herët, nga rreth 6 milionë dollarë të shpenzuar për miratimin e ligjit, rreth 5.5 milion, apo 92%, erdhën nga njësi të financuara nga Soros.

George Soros, sigurisht, është financuesi ndërkombëtar tepër i diskutueshëm që dhuron dhjetëra miliarda dollarë për kauzat e të majtës ekstreme dhe financon fushata për prokurorë të butë me krimin. Djali i tij shpreh hapur të njëjtat pikëpamje si i ati, disa prej të cilave anti-amerikane.

Demokratët as nuk përpiqen më ta fshehin ndikimin e Sorosit. Si një shembull perfekt që tregon se paratë e shumta për fushata të sigurojnë akses në Shtëpinë e Bardhë, Biden e futi Alex Sorosin midis të ftuarve më 1 dhjetor në darkën e parë zyrtare shtetërore të administratës së tij, në nder të Macron. Edhe shumë të ftuar të tjerë ishin donatorë të mëdhenj të fushatave të Bidenit dhe Demokratëve.

Në darkën shtetërore ishte edhe Hunter Biden, djali influencues i presidentit, i cili bëri video vetë-pornografike ku shfaqej duke përdorur droga të forta në mënyrë të përsëritur. (Hunter pretendon se tani është i pastër dhe kush është i njerëzishëm duhet t’i urojë që të mbetet i tillë). Dikush mund të mendojë se presidenti, duke i parë me sytë e tij vuajtjet e të birit për shkak të drogës, do të ishte kundër përpjekjeve të Alex Sorosit që çuan në katapultimin e drogave të forta në Oregon pa siguruar shërbimin e premtuar për njerëzit që kërkojnë e marrin trajtim.

Familja Soros është një ndikim malinj në politikën dhe kulturën amerikane. Anëtarët e saj duhen shmangur, jo të adhurohen.