Gazeta e madhe gjermane: Tensionet Kosovë-Serbi, asi i Putinit në zemër të Europës
‘Tensionet Kosovë-Serbi, asi i Putinit në zemër të Europës’.
Ky është titulli i artikullit të publikuar nga media prestigjioze gjermane, Die Welt, që shkruan për rreziqet që i kanosen kontinentit të vjetër nga një shtet në Ballkanin Perëndimor.
Gazetarja Carolina Drueten, shkruan se Serbia po kërcënon Kosovën dhe po llogarit në mbështetjen e Rusisë në përshkallëzimin e konfliktit. Në mes të luftës në Ukrainë, kjo hap opsione të reja strategjike për Kremlinin.
‘Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës rrezikon të përshkallëzohet sërish. Një person në veçanti përfiton nga paqëndrueshmëria:
Presidenti rus, Vladimir Putin. Ai është aleati më i rëndësishëm i presidentit serb, Aleksander Vuçiç, për çështjen e Kosovës. Putini dëshiron të destabilizojë Europën nga brenda. Ballkani Perëndimor ia ofron atij mundësinë për ta bërë këtë vazhdimisht’, shkruan gazeta gjermane.
Gazeta shkruan më tej se kjo mund të jetë e rrezikshme edhe për Bashkimin Europian që rrethon rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Si për ta konfirmuar artikullin e ‘Die Welt’, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Kharçenko tha se Serbia mund të mbështetet te Rusia për situatën në Kosovë dhe vuri në dukje se të dyja vendet do të vazhdojnë të koordinojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje.
Diplomati i Putinit shtoi se Moska do të vazhdojë të mbrojë Serbinë në arenën ndërkombëtare, konkretisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si anëtare e përhershme dhe kërkoi një zgjidhje përfundimtare të pranuar edhe nga Kosova.
Ndër të tjera akuzoi perëndimin duke pretenduar se po përdor tensionet e fundit për t’i bërë presion Serbisë që t’i vendosë Rusisë sanksione. /A2