'Pronar i kompanisë offshore në Holandë'/ Shehaj: Kërkova sqarime, Rama lëshoi fyerje

Deputeti i Partisë Demokatike Agron Shehaj flet për debatin që pati një ditë më parë me kryeministrin Edi Rama në Kuvend. 

Ai ka deklaruar se kërkoi përgjigje nga Rama në lidhje me akuzën se është pronar i një kompanie offshore në Holandë.

Shehaj tha se akuzat e tij i mbështeti në logjikë dhe në fakte, por se në vend të saj nga kryeministri mori vetëm fyerje dhe ofendime.

“Para disa ditësh SPAK shpalli në kërkim për korrupsion pronarin e inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë qeveria vijon e paguan këtë zotëri, vetëm në një muaj ky zotëri ka marrë rreth 1 mln euro nga bashkia e Tiranës. Arsyeja e vetme që një qeveri ka nënshkruar një kontratë korruptive me një subjekt offshore në Holandë dhe vijon ta paguajë, ka vetëm një arsye, nëse pas qëndron kryeministri... kjo ishte çështja që ngrita.

Unë kërkova shpjegime bazuar në logjikë dhe fakte. Kjo ndodhi dje. Përgjigja që mora ishte fyerje e ofendime. Nuk është hera e parë nga ana e tij. Është strategji kur nuk ke çfarë thua për çështjen vërsulju atij që flet”, deklaroi Shehaj për News24.