Baçi: Rama, përpjekje maksimale për të eliminuar opozitën, 8 vjet me një mashtrues si Basha, tani me Alibeajn

“Po bëhen përpjekje maksimale për të eliminuar opozitën, po bëhen përpjekje maksimale që në Shqipëri të mos ketë më pluralizëm, por të ketë një opozitë falso, një opozitë të emëruar”.

Këtë paralajmërim të fortë bëri sot, deputeti i PD-së, Luan Baçi, duke theksuar me vendosmëri më tej se Grupit parlamentar i PD-së nuk do të ndalojë, nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të tërhiqet përpara presioneve dhe kërcënimeve si ato që u bënë dje publikisht në sallën e parlamentit nëpërmjet Lindita Nikollës të mbështetur nga grupimi i Alibeajt.

Në një intervistë të dhënë sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, Luan Baçi zbuloi prapaskenat e përjashtimit të kolegut Flamur Noka nga seancat dhe të asaj që po luhet në kurriz të opozitës së vërtetë në Shqipëri, e cila tetë vjet i kaloi me një mashtrues si Lulzim Basha në krye, siç u shpreh.

Flavio: Z. Baçi, a ishte dita e fundit kur u mbajt maska e grupit Alibeaj dhe tani a u pranua edhe nga vetë ata, qëndrimi i grupit?

Luan Baçi: Në fakt, një problematikë midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste do ta quaja, jo midis grupit të PD-së, për arsye se brenda grupit të PD-së, tashmë e dimë që është (unë do të thosha) është një individ i vetëm i quajtur Alibeaj që vazhdon të bëjë lojën e pistë të Ramës. Për herë të parë dje, megjithëse kjo punë ka rreth një vit, për herë të parë dje, Nikolla pranoi në fund, me këshillën juridike që i dha zoti Alibeaj i vënë në pozicion të vështirë nga salla e parlamentit, që ta dorëzonte atë paçavure fletushkë të dorëzuar nga zoti Alibeaj për të mos i hyrë anës teknike, një paçavure shkresë, pa vulë, pa numër protokolli, një shkresë ku nuk e di ku është firmosur, ku akuzohemi për dhunë, organizim dhune më 8 janar; kjo shkresë është bërë më 15 janar.

Me sa di unë në 15 janar ka qenë kryetar i grupit parlamentar zoti Rushaj dhe jo Alibeaj. Gjithsesi këto janë histori të shkuara.  Dje përfundimisht zoti Alibeaj foli hapur që unë i kam bërë këto përjashtime dhe do të vazhdojë t’i mbaj për arsye se ka urdhër nga Rama. Po ta vini re, Lindita Nikolla gjithmonë vepron kur e merr në telefon ose ndërhyn Balla dhe Alibeaj këtej. Pra, që të dy kanë akses mbi zonjën Nikolla sesi do të veprojë me rregulloren e parlamentit, si do të japë fjalën, sa minuta do të përcaktojë dhe çdo lloj veprimi është i koordrinuar midis të dyve, Alibeajt dhe Ballës dhe Nikollës. Nikolla merr urdhra edhe te Rama.

Ola: Ndërkohë zonjës Nikolla në këtë moment, kush ia ka dhënë urdhrin për të përjashtuar zotin Noka nga seanca?

Luan Baçi: Po patjetër, Rama! Nuk ka kush tjetër t’i japë urdhër për përjashtim! Te përjashtimet merret Rama. Balla dhe Alibeaj merren me këto problemet e vogla brenda sallës. Problemi nuk është kaq i thjeshtë, këtu është një problem shumë i rëndësishëm, problem i pluralizmit në Shqipëri, është një problem i demokracisë në Shqipëri, është një problem vërtet shumë i rëndësishëm. Po bëhen përpjekje maksimale për të eliminuar opozitën.

Po bëhen përpjekje maksimale që në Shqipëri të mos ketë më pluralizëm, por të ketë një opozitë falso, një opozitë të emëruar, një opozitë të blerë, një opozitë të shitur dhe për të përjetësuar pushtetin e autokratit Rama.

Tetë vjet i kaloi duke pasur një mashtrues si Lulzim Basha në krye të opozitës dhe na çoi në këtë vend ku na çoi. Duke parë që i dolën petët, lakrorit dhe nuk ka më si të fshiheshin, atëherë Basha bëri një tërheqje taktike: la zotin Alibeaj aty që vazhdon me kokëfortësi dhe me shumë besnikëri këtë mision për të shitur çdo opozitë të mundshme që mund të jetë në Shqipëri. Pra, ky është një problem shumë i madh për shqiptarët, për demokracinë në Shqipëri dhe ky është reagimi ynë i djeshëm.

Me keqardhje e them, se nuk dua që të kishte një reagim midis kolegëve deputetë të PD-së, kushdo qofshin ata, edhe zoti Alibeaj, por zoti Alibeaj e vazhdon me kokëfortësi këtë punë dhe ndërhyri vetë dje dhunshëm madje me fjalorin e tij banal ofendues, me kolegët e tjerë deputetë,  këmbëngulës për ta çuar deri në fund këtë mision të tij për ta eliminuar Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Flavio: Si do të jetë strategjia e PD-së tani për t’u përballur me këto rrethana të jashtëzakonshmë në fakt dhe shumë të rrezikshme për parlamentarizmin në Shqipëri?

Luan Baçi: Nuk do të ndalojmë asnjë sekondë, asnjë minutë, nuk do të lëshojmë pe, nuk do të tërhiqemi përpara presioneve, nuk do të tërhiqemi përpara shantazheve dhe para çdo lloj kërcënimi që mund të bëjnë, pasi zoti Aliebaj dje për shembull tha që do ta shikoni se çdo t’ju bëj kur të dilni jashtë, për arsye se i duket i duket vetja shumë i fortë tashmë, meqë ka mbështetjen e mazhorancës dhe të Edi Ramës dhe fillon dhe të bëjë presione dhe të kërcënojë që mund të merret jashtë me deputetë e opozitës.

I ka bërë llogaritë gabim në fakt, se demokratët janë shumë më shumë nga sa është ai dhe me mbështetjen që ka e do të përballet me demokratët, nuk do t’ia falin këtë sjellje të tij.

Kështu që ne si deputetë të PD-së, të opozitës, absolutisht nuk do të ndalojmë, do të kërkojmë deri në fund që grupi parlamentar të jetë i unifikuar, që PD-ja të ketë sërish siglën dhe vulën e saj. Se është përsëri zoti Alibeaj ai që mban peng siglën dhe vulën e PD-së me ankimimin paradoksal  të paligjshëm që ka bërë në gjykatë, po me mbështetjen e Ramës që ka ndërhyrë në gjykata dhe gjykata ka marrë përsipër ta çojë deri në fund këtë maskaradë dhe këtë pisllëk të nisur nga ana e tyre duke mbajtur peng, vulën dhe siglën e PD-së.

Të gjitha këto janë probleme shumë të rëndësishme që demokratët do t’i zgjidhin patjetër me çdo lloj forme, mënyre, mjeti demokratik. Nuk do të ndalojmë derisa PD-ja të ketë të drejtën legjitime që ia kanë dhënë demokratët për të përfaqësuar demokratët në zgjedhjet e ardhshme, për të përfaqësuar demokratët në opozitë dhe për të risjellë shqiptarët në pushtet./ar.sh/SYRI.NET