Zvicra hedh poshtë idenë e futjes së gjinisë së tretë në të dhënat zyrtare

Qeveria zvicerane hodhi poshtë të mërkurën idenë e futjes së “gjinisë së tretë” ose “pa gjini” për të dhënat zyrtare.

Duke iu përgjigjur dy propozimeve nga parlamenti, Këshilli Federal qeverisës tha se "modeli dygjinor është ende i ankoruar fuqishëm në shoqërinë zvicerane", njofton Euronews.

"Parakushtet sociale për futjen e një gjinie të tretë ose për heqjen e përgjithshme të regjistrimit gjinor në gjendjen civile, aktualisht nuk ekzistojnë," tha Këshilli.

Këshilli Federal shtoi se propozime të tilla do të kërkonin ndryshime "të shumta" në Kushtetutën zvicerane dhe në ligjet si në nivelin kombëtar ashtu edhe në 26 kantonet e vendit.

Aktualisht, personat regjistrohen në gjendjen civile si meshkuj apo femra, pa asnjë mundësi tjetër.

Qeveria tha se një komision kombëtar i etikës gjeti në një raport të vitit 2020 se nuk ishte ende koha e duhur për një ndryshim në sistem.

Pozicioni i Zvicrës ndryshon nga ai i vendeve fqinje

Zvicra ka një sistem politik të komplikuar në të cilin katër parti nga e majta drejt së djathtës nacionaliste janë të përfaqësuara në qeveri dhe mban referendume të shpeshta për të gjitha llojet e çështjeve.