Turpi ka emër!

Për të kuptuar se çfarë ndodhi realisht sot në zonën rreth rrënojave të Teatrit Kombëtar, se sa e blinduar ishte Tirana, mjafton një video e Altin Bashës, që tenton të kalojë kordonin policor.

Edhe pse është emëruar drejtor i një teatri fantazmë, ai nuk u lejua që të futej në zonën e fortifikuar. Vetëm pas disa minutash, besniku i Edi Ramës arriti që të futej dhe të mbante një fjalim patetik. Është i njëjti person që katër vite më parë, do tregohej shumë i ashpër ndaj vendimit të Edi Ramës për prishjen e Teatrit Kombëtar. Atëherë ai u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të dilnin në protestë, ndërsa sot, kur i shihte duke protestuar, i shpërfillte.

“Pse këta njerëz dalin në oborrin e teatrit kur Shqipëria udhëhiqet nga një artist. Si është e mundur? Ne duhet të ishim në kushte normale, pasi duhet të ishim komuniteti më i favorizuar. Ne nuk prodhojmë vota. Nuk merremi parasysh nga Ministria e Kulturës,” pati deklaruar Basha në vitin 2018.

Kurse sot qëndronte në krah të askujt më pak se Arben Derhemit, aktorit që ishte zotuar në vitin 2018, se Teatrin Kombëtar do e mbronte me gjak.

“Teatri Kombëtar është lënë vetë në atë gjendje, nuk ka pasur investime. Nga planimetria e hartës Historike së Tiranës është zhdukur territori i Teatrit Kombëtar. Do të kërkojmë një institucion për rikthimin e godinës së “Teatrit Kombëtar” në gjendjen që ishte që në kohën e Italisë. Ne e duam sepse është pjesë e historisë së këtij kombi. Janë 80 vite sot që është ndërtuar, edhe pak bëhen 100 vite. Ne nuk do të dalim nga ai tempull, do ta mbrojmë me gjakun tonë”, tha aktori Arben Derhemi në vitin 2018.

Për tempull pati folur edhe aktori tjetër, Robert Ndrenika, i cili tha se Teatri Kombëtar është ‘Jerusalemi’ i shqiptarëve.

“Megjithatë unë mendoj që toka e këtij teatri është më e shenjta. Ky është Jerusalemi jonë të cilën duan ta mbysin “kryqëzatat”. Tani për ne që kemi ka 70-80 vjet këtu, nuk është gjynah që të vijnë 3-4 biznesmenë dhe ta marrin e ta shesin këtë tokë?! Kjo nuk ka logjikë. Prandaj ne të mbrojmë tokën se kjo është e jona, e komunitetit”, tha Ndrenika.

Sot u shfaq bashkë me Luftar Pajën, që më shumë lufton për statusin e djalit si investitor strategjik sesa për teatrin, duke dëgjuar talljen e kryeministrit Edi Rama, i cili i lavdëroi se kanë ndërruar mendje. Përpara gazetarëve, Rama lëshoi edhe një tjetër përqeshje për Ndrenikën.

“Ne kishim këtu edhe ‘prefektin’,” tha Rama, duke treguar se përse ata e meritojnë ironinë.

Në fakt ka të drejtë. Turpi e ka një emër!