Gazeta fraceze: Eva Kaili ka rrëfyer se i ka kërkuar të atit t’i fshihte 750 mijë eurot

Një zbulim i rëndësishëm për Eva Kailin, para se Këshilli në Bruksel ( të enjten) të vendosë nëse ajo do të qëndrojë në burg për skandalin Qatar-gate, gazeta franceze Le Soir shkruan se eurodeputetja greke ka pranuar se i ka kërkuar babait të saj që të fshihte paratë që kishte në shtëpinë e saj.

Kujtojmë që policia belge fillimisht gjeti në shtëpinë e babait të eurodeputetes 600 mijë euro cash në një valixhe në një hotel në Bruksel dhe më pas kur Eva Kaili nuk mbrohej më nga imuniteti i eurodeputetës, bastisi shtëpinë e saj ku u gjetën dhe 150 mijë euro të tjera.

Në dokumentin për arrestimin e Eva Kailit më 9 dhjetor prokurori i cili po heton ngjarjen Michel Cleese shprehet se “e pandehura pranoi se e kishte udhëzuar të atin që të fshihte paratë” sipas gazetës franceze.

“Ajo tha se e dinte për aktivitetin e partnerit të saj ( Francesco Giorgi) me zotin Panzeri dhe se valixhja me para cash ishin banesën e saj” shton prokurori belge, po sipas gazetës franceze.

Të njëjtën gjë raporton edhe media italiane La Repubblica, e cila thotë se Eva Kaili është shprehur se  “është e vërtetë, kam ditur për aktivitetet e zotit Panzeri dhe e kam ditur që në shtëpinë time ka pasur valixhe me para”.

Edhe sipas medias italiane “kur policia kreu operacionin ndaj partnerit të saj, Eva Kailin e zuri paniku. Përveç udhëzimit të babait të saj që të fshihte me shpejtësi një pjesë të parave, ish-prezantuesja gjithashtu u përpoq të paralajmëronte Panzerin dhe dy eurodeputetë të tjerë për hetimin", pa specifikuar se cilët ishin ata në raportin që citonte dokumentin e prokurorit.

Le Soir shkruan gjithashtu se partneri i eurodeputetes Francesco Giorgi pranoi në prokurori se ai ishte pjesë e një grupi të përdorur nga Maroku dhe Katari për të ndikuar tek evropianët. 

"I bëra të gjitha për para që nuk më duheshin" sipas dokumenteve të gjykatës të cituar nga La Repubbica.

Rrëfim nga Panzeri

Pas arrestimit dhe zbulimit të 600 mijë eurove cash në shtëpinë e tij, Panzeri, shkruan gazeta belge, është detyruar të pranojë pjesërisht përfshirjen e tij në skandalin që tronditi Parlamentin Evropian.

“Ai mohoi se eurodeputeti Mark Tarabella ishte marrësi i dhuratave nga Katari, por pranoi pjesërisht faktet” e korrupsionit dhe ndërhyrjeve në favor të Katarit dhe Marokut, shkruan prokurori Klez në dokumentin për Panzerin.

Ndërkohë në “vallen” e hetimeve po i bashkohet edhe Eurojust (Agjencia e Bashkimit Evropian për Drejtësi Penale) e cila të hënën tha në një email se po merrte pjesë "për të mbështetur hetimet belge" në Qatar- gate. 

Në të kaluarën, prokurorët belgë kanë konfirmuar se Eurojust po merr pjesë në hetime, veçanërisht në pjesën e asaj që po ndodh në Itali.