Ëndrrat e emigrantëve që duan të shkojnë në BE tani kalojnë nga Moska

Emigrantët që përpiqen të hyjnë në BE përmes kufijve të saj lindorë po udhëtojnë tani nëpërmjet një rruge të re, e cila i çon fillimisht në Rusi dhe më pas në kufirin Bjellorusi-Poloni, tregon një investigim i BIRN.

Nga Claudia Ciobanu dhe Majd Helobi/

35-vjeçari S., me origjinë nga Siria, ka pritur për më shumë se një muaj në një dhomë hoteli në Minsk, në pamundësi për të hyrë në BE pasi udhëtoi me dy avionë dhe pesë makina për të shkuar nga Erbili në Kurdistanin irakian, në kryeqytetin e Bjellorusisë nëpërmjet Moskës.

“Thjesht po pres dhe pres që personi që do të më kalojë të kontaktojë me mua. Nuk mund të bëj asnjë lëvizje pa të”, tha S. për BIRN përmes një bisede në WhatsApp më 12 dhjetor, duke dërguar mesazhe nga dhoma të cilën e ndan me nëntë persona të tjerë.

S. u ul në aeroportin Domodedovo në Moskë, kryeqyteti rus, në një fluturim nga Erbili nëpërmjet Dubait në ditët e para të nëntorit.

Viza turistike ruse në pasaportën e tij, të cilën S. ia tregoi BIRN-it, u dha në fund të tetorit, e vlefshme për një muaj dhe lejon një hyrje të vetme në vend (shih më poshtë).

Viza turistike ruse në pasaportën e S. Foto: BIRN

Pasi zbarkoi në Moskë, S. ra në kontakt me një kontrabandist, i cili i kishte premtuar se do ta çonte deri në Gjermani.

S. është një nga mijëra emigrantët që janë përpjekur të hyjnë në BE këtë vit nëpërmjet një variacioni të ri të asaj që Frontex, Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, e quan Rruga Tokësore Lindore. Në vend që të fluturojnë për në Minsk, këta emigrantë fluturojnë fillimisht për në Moskë përpara se të udhëtojnë në kufirin Bjellorusi-BE.

Arsyeja e këtij devijimi është se në fund të vitit të kaluar, në përpjekje për të penguar krizën e emigracionit të orkestruar nga lideri bjellorus Aleksandr Lukashenko në kufijtë lindorë të BE-së, Brukseli ushtroi presion mbi vendet e treta dhe linjat ajrore ndërkombëtare për të kufizuar numrin e fluturimeve që sillnin emigrantë në Minsk.

Ndërhyrja funksionoi kryesisht: sipas të dhënave nga Roja Kufitare Polake, nga një kulm prej 17,000 në tetor 2021, numri i tentativave për hyrje në Poloni nëpërmjet atij kufiri ra në rreth 1,000 gjatë muajve të dimrit të vitit të kaluar.

Por verën e këtij viti, OJQ-të polake që ofrojnë ndihmë humanitare për emigrantët filluan të vinin re një rritje të numrit të emigrantëve që kalonin kufirin Bjellorusi-Poloni që kishin viza ruse në pasaportat e tyre, në vend të vizave bjelloruse si më parë. Dhe Roja Kufitare Polake ka konfirmuar tani për BIRN se deri në 90 për qind e emigrantëve që u përpoqën të hynin në BE përmes kufirit Bjellorusi-Poloni këtë vit kishin viza ruse.

Ndërsa disa mund të jenë banorë të Rusisë që ikin nga një vend në luftë apo edhe rekrutimi potencial i detyrueshëm në ushtrinë ruse, BIRN tani mund të tregojë se shumë nga këta emigrantë janë në fakt njerëz që përpiqen të hyjnë në Evropë përmes një varianti të ri të Rrugës Lindore, këtë herë përmes Moskës, të cilën kontrabandistët e kanë përdorur për të anashkaluar përpjekjet e BE-së për të mbyllur rrugën.

Duke u mbështetur në intervistat me emigrantët, agjentët e udhëtimit që shesin viza ruse, kontrabandistët që drejtojnë emigrantët nga Moska në kufirin e BE-së, si dhe dokumentet e ofruara nga këta aktorë dhe informacionin online të postuar nga agjentët e udhëtimit dhe kontrabandistët, BIRN për herë të parë mund të tregojë se si funksionon varianti i ri i Rrugës Lindore.

Me të arritur në Moskë, S. kaloi dy ditë në kryeqytetin rus përpara se kontrabandisti i tij të dërgonte një makinë për ta marrë dhe për ta çuar drejt Bjellorusisë. Ai tha se grupit të tij iu deshën rreth 12 orë për të arritur në Minsk, rreth 700 kilometra larg, dhe atyre iu desh të ndryshonin pesë makina të ndryshme gjatë rrugës.

Pasi mbërriti në kryeqytetin e Bjellorusisë, S. nisi një udhëtim të njohur për dhjetëra mijëra emigrantë që janë përpjekur të hyjnë në BE përmes kufirit Bjellorusi-Poloni që nga vera e vitit 2021: arritja në kufi, përpjekje për të kaluar, kthimi pas në Bjellorusi, përsëri përpjekje dhe përsëri e përsëri e përsëri…

“Herën e fundit që arritëm në kufirin bjellorus, pasi kaluam tre ditë në pyll dhe fjetëm nën dëborë, bjellorusët na kapën, na rrahën dhe na vodhën gjithçka – para dhe sende personale”, e përshkroi S. përpjekjen e tij të dytë për të kaluar në Poloni.

“Kjo rrugë është shumë e vështirë”, tha ai. “Ne e quajmë rruga e vdekjes, sepse, e kemi parë vërtet vdekjen nga afër gjatë rrugës.”

Megjithatë, kurdo që të telefonojë kontrabandisti, S. tha se do të jetë gati ta provojë për herë të tretë.

Si duket varianti i ri i Rrugës Lindore për një emigrant që udhëton në Evropë nga Iraku.

Në Rusi për “trajtim mjekësor”

Reklamat nga agjentët e udhëtimeve që shesin viza në Rusi janë kudo në Facebook, duke synuar irakianët dhe shumë të tjerë në të gjithë Lindjen e Mesme. Disa thjesht tregojnë një foto të një vize për në Rusi dhe japin një numër kontakti; të tjerat janë më abstrakte, për shembull duke përfshirë një foto të një peizazhi të artë vjeshte dhe një premtim për “trajtim mjekësor në Rusi” (shih më poshtë).

Megjithatë, të tjerë ofrojnë informacion shumë specifik në lidhje me shërbimet që mund të ofrojnë për klientët e tyre. Një agjenci udhëtimesh, për shembull, ka postuar që nga fillimi i nëntorit foto të klientëve të saj që kanë arritur në aeroportet në Moskë (shih më poshtë).

H., një agjent i pavarur udhëtimesh, postoi shembuj të vizave dhe ftesave që ai kishte ndihmuar të merreshin.

Duke u hequr si një emigrant që kërkon të marrë një vizë ruse, një reporter i BIRN foli në telefon me dy agjentë të tillë të pavarur që operojnë në Irak, të cilët do t’i identifikojmë me inicialet e tyre, H. dhe B.

Të dy ofruan paketa të ngjashme: për 2,500-3,000 dollarë do të organizonin vizat ruse brenda një muaji nga dhënia e informacionit të pasaportës: nëse emigranti është i ri, ata do të siguronin një vizë studentore; nëse është më i vjetër, një vizë turistike.

Për secilën prej këtyre llojeve vizash, nevojitet një ftesë ose letër garancie nga Rusia: nga një universitet në rastin e vizës studentore; nga një individ pritës në rastin e vizës turistike.

Fotot e klientëve që mbërrijnë në aeroportet e Moskës. Foto: BIRN

Më pas, emigrantët blejnë biletën e avionit në mënyrë të pavarur (duke fluturuar nga Iraku përmes Dubait në kohën e shkrimit), por agjencia e udhëtimit premton se do të priten në aeroport nga rusë që do t’u dorëzojnë ftesën që ishte edhe baza për dhënien e vizës.

Siç mund të shihet nga postimet në rrjetet sociale të agjencisë së udhëtimit, mund të ndodhë që i njëjti individ rus të veprojë si “miku rus pritës” për emigrantë të shumtë të pajisur me viza nga i njëjti agjent udhëtimesh.

Përpara nisjes, emigranti depoziton pagesën ose te një person i besuar ose në një zyrë të caktuar këmbimi valutor. Agjenti e arkëton shumën pasi të jetë marrë konfirmimi se emigranti ka mbërritur në aeroportin në Rusi.

Të dy H. dhe B. premtojnë se do të ndihmojnë për ta çuar emigrantin deri në Gjermani, duke i vënë ata në kontakt me kontrabandistët që merren me pjesën e udhëtimit nga Moska në Gjermani. H. citoi një çmim total prej 6,000 dollarësh për të gjithë udhëtimin nga Iraku në Gjermani.

Të pyetur konkretisht se cilat rrugë përdoren për të hyrë në BE, si H. ashtu edhe B. Thanë se ishte nëpërmjet Bjellorusisë.

“Kaliningradi është i vështirë. Nuk punoj dot atje”, u përgjigj B. kur u pyet për një rrugë të mundshme Moskë-Kaliningrad-Poloni, për të cilën autoritetet polake frikësohen se mund të hapet nga Rusia në të ardhmen e afërt. Kjo i ka motivuar polakët të ndërtojnë një gardh me tela me gjemba në kufirin Poloni-Kaliningrad.

“Në Kaliningrad, ka vende specifike ku nuk mund të hyni, dhe nëse e bëni këtë gabimisht, personi rus që ju ndihmoi të siguronit vizën do të ndëshkohej”, tha B., madje duke pretenduar se ka qenë personalisht në enklavën ruse për të kontrolluar situatën atje.

Ndërkohë, H. këshilloi se përpjekja për të shkuar në BE nëpërmjet kufirit Rusi-Finlandë ishte më e ndërlikuar dhe më e kërkuar sesa nëpërmjet Bjellorusisë, duke e bërë këtë të fundit të preferueshme.

Dy bisedat me agjentët e udhëtimeve u zhvilluan më 5 dhjetor. Bazuar në praktikat aktuale të kontrabandës të identifikuara nga BIRN, nuk duket se rruga e Kaliningradit ishte aktive në momentin e shkrimit.

Kontrabandistë hi-tech

Sapo një emigrant arrin në Moskë, udhëtimi i tyre i mëtejshëm udhëhiqet nga një kontrabandist, zakonisht një person ndryshe nga ai që u mor me vizën – megjithëse kontrabanduesi mund të ketë “nënkontraktuar” agjentin e udhëtimeve, i cili josh klientët dhe nga ana tjetër rekomandon kontrabandistin.

Është interesante se në rastin e emigrantëve nga Lindja e Mesme që po ndjekim në këtë histori, kontrabandisti kryesor është vetë me bazë në Lindjen e Mesme dhe punon në distancë duke përdorur shoferë dhe kontrabandistë vendas që punëson në Rusi, Bjellorusi dhe më tej në perëndim.

M., kontrabandisti sirian me të cilin BIRN foli më 6 dhjetor duke telefonuar në numrin turk, madje po transmetonte në Telegram një video me vendndodhjen live ne GPS të një makine që me sa duket po merrte një grup emigrantësh që ai kishte organizuar përtej kufirit polako-gjerman. Videoja tregon lëvizjen e makinës teksa përparon drejt kufirit pranë qytetit polak të Zgorzelecit dhe qytetit gjerman të Gorlitz.

Në videot e tjera të postuara nga M., grupe emigrantësh filmohen duke zbritur nga makinat pasi dyshohet se arritën në Gjermani, me datën e supozuar të mbërritjes së dukshme në video si provë se kontrabandisti po dërgon vazhdimisht njerëz në Gjermani.

Kur një reporter i BIRN telefonoi duke u hequr si një emigrant në Moskë që duhet të shkojë në Gjermani, M. premtoi se mund të organizonte një makinë së shpejti. Për 400 dollarë, një makinë do të vinte dhe do ta çonte emigrantin në Minsk, tha ai. Në Minsk, ai do të priste disa ditë derisa të organizohej një grup më i madh, tha kontrabandisti, dhe më pas do të kushtonte 4,500 dollarë të tjera për të mbërritur në Gjermani.

Si kontrabandisti ashtu edhe agjentët e udhëtimeve me të cilët foli BIRN pretendojnë se mund të ofrojnë një udhëtim deri në Gjermani. Megjithatë, siç tregon përvoja e S., udhëtimi është shpesh shumë më ndryshe në realitet.

Kontrabandistët janë në gjendje t’i sjellin emigrantët nga Moska në Minsk dhe më pas t’i udhëheqin në kufirin Bjellorusi-Poloni. Por askush nuk mund të dalë garant se emigrantët do të jenë në gjendje të kalojnë me sukses kufirin në përpjekjet e para, të dyta ose pasuese.

Në kohën e shkrimit, një mur kufitar prej 5.5 metrash i lart kalon rreth 200 kilometra përgjatë kufirit Poloni-Bjellorusi, i kompletuar me sensorë lëvizjeje dhe kamera. Për një vit e gjysmë tashmë, Roja Kufitare Polake ka kthyer pas sistematikisht emigrantët që ata kapin duke kaluar kufirin, pavarësisht nga mosha, kombësia apo gjendja shëndetësore.

Çmimet ndryshojnë. H., agjenti i udhëtimit, thotë se pjesa Moskë-Gjermani kushton 3,000 dollarë, ndërsa M., kontrabandisti, kërkoi 4,900 dollarë për ta çuar një emigrant tashmë në Moskë në Gjermani. S., emigranti sirian, tha për BIRN se po paguan 7,000 dollarë për të shkuar nga Moska në Gjermani.

“As mos mendoni të niseni nëse nuk keni 10,000 dollarë”, tha M., një emigrant irakian që pret në Erbil vizën e tij ruse përpara se të nisë udhëtimin. “Sapo të arrini në Rusi, duhet të vazhdoni.”

Siç tregon përvoja e S., emigrantët gjithashtu i nënshtrohen dhunës dhe vjedhjes nga rojet kufitare ose ushtarët bjellorusë – pretendime të bëra nga shumë njerëz që janë përpjekur të kalojnë kufirin bjelloruso-polak që nga vera e vitit 2021, përfshirë ata të intervistuar nga BIRN.

Për më tepër, edhe nëse emigrantët arrijnë të kalojnë kufirin për në Poloni, policia polake mund t’i arrestojë ata në makina gjatë rrugës për në Gjermani dhe t’i kthejë në kufirin në Bjellorusi, sipas dëshmive të emigrantëve që nga fillimi i krizës në 2021.

Pastaj ekziston rreziku i vdekjes. Më 5 dhjetor, në Poloni u bë varrimi i një 21-vjeçari sudanez, Sidding Musa Hamid Eisa, i cili vdiq në fillim të tetorit në kufirin polako-bjellorus. Numri i viktimave në kufi nuk dihet, por sigurisht i kalon 30. Sipas OJQ-ve, rreth 200 persona konsiderohen aktualisht të zhdukur, me familje dhe miq në kërkim të tyre.

Pavarësisht gjithë këtyre rreziqeve, shumë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm: qoftë për t’i shpëtuar luftës, destabilitetit apo varfërisë, shumica e këtyre njerëzve kanë pak mundësi për të emigruar ligjërisht në Evropë.

Sipas Gardës Kufitare Polake, ka pasur mbi 2,000 tentativa hyrjeje përmes kufirit Bjellorusi-Poloni në tetor dhe nëntor të këtij viti.

“Unë nuk jam pemë,” tha S. duke iu referuar udhëtimit të tij, pavarësisht se e dinte për rreziqet e mundshme që i pret. “Nëse një vend nuk më jep atë që meritoj, atëherë duhet ta ndryshoj vendin tim.”/BIRN/