Bledar Dervishaj: Drejtësia s'është vetëm SPAK. Gjykatat janë bosh, një proces zgjat 5 vjet!

Eksperti ligjor Bledar Dervishaj shprehet se drejtësia në vend nuk është zgjedhja e kryetarit të SPAK, një proces i cili u përmbyll këtë të premte kur Altin Dumani fitoi garën përballë dy prokurorëve të tjerë, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi. 

Në një lidhje direkte me Skype për edicionin e 'Ora 19.00' në Syri Tv, me moderatoren Juli Krisafi, Dervishaj tha se gjykatat janë bosh dhe se dhënia e një vendimi gjyqësor zgjatet deri në 5 vite. 

Thirrja e Dervishajt ishte për KLP dhe KLGJ që të plotësojnë gjykatat dhe prokuroritë me trupën e nevojshme për të marrë vendime pasi dosjet sipas tij janë të panumërta. 

"Nuk është vetëm SPAK-u drejtësia. Drejtësinë duhet ta shohim edhe te hallkat e tjera të saj. Gjej rastin të ripërsëris thirrjen time për KLP dhe KLGJ, për arsye se ne kemi seksione të tjera të gjyqësorit që i kemi të boshatisura. Dhe këtu një organ tjetër i rëndësishëm që kontrollon veprimtarinë e qeverisë, të organeve të varësi të saj, vendimmarrjen e tyre, është Gjykata e Apelit Administrativ, Gjykata Administrative të cilat nuk janë në numrin e kërkuar nga ligji dhe janë në një numër çështjesh të mbartura shumë të mëdha. Këto gjykata, për çdo lloj çështje, kemi kohëzgjatje të lartë të dhënies së drejtësisë, mbi 5 vjet, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me shkelje të të drejtës për të patur proces të rregullt ligjor dhe brenda një afati të arsyeshëm", u shpreh Dervishaj.