Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK/ Reagon Ambasada e SHBA në Tiranë

Pak orë pasi Altin Dumani u zgjodh kryetar i SPAK, ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë një deklaratë e cila është shpërndarë për mediat. 

Kujtojmë që ambasadorja Yuri Kim ndoqi Live nga afër procesin në KLP. 

Ambasadorja u shpreh se rëndësi për të kishte që procesi të ishte i drejtë dhe se me prezencën e saj në KLP, i dha rëndësinë e duhur garës. 

Më pas, ambasada amerikane përcolli qëndrimin e saj zyrtar për zgjedhjet në SPAK, duke theksuar se presin të bashkëpunojnë me Altin Dumanin, ndërsa shton se prioritet duhet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Deklarata e ambasadës amerikane
Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata.

Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar.

Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore.

Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë.