SYRI TV/ Skema 'guackë' e subvencionit të grurit, fermerët: Nuk na leverdiste të blinim farë

Subvencionimi i fermerëve që mbjellin më shumë se 1 ha grurë, duket se do të rezultojë një tjetër skemë propagande, e qeverisë për bujqësinë. Në Lushnjë dhe Divjakë janë skualifikuar nga aplikimi më shumë se 10 mijë fermerë, ndërsa në fazën e dytë kanë kaluar 1700 aplikantë. Por dhe nga këta të fundit, shumë pak pritet të përfitojnë, pasi sipas zyrtarëve të bujqësisë, nuk plotësojnë kushtin që farën e grurit ta blejnë në pikë të licensuar.

Nga SYRI TV

Ky 16 dhjetor është afati i fundit, që fermerët kanë në dispozicion për të dorëzuar faturat e blerjes së farës dhe imputeve bujqësore apo aktet e marrjes së tokës në përdorim, në mënyrë që të aplikojnë për skemën e subvencionimit të grurit. 

Por në Lushnjë, qindra fermerë, që kanë mbjellë më shumë se një hektarë tokë me grurë, pritet të mos përfitojnë 30 mijë lekë subvencionim nga Ministria e Bujqësisë. Këtë e thotë kreu i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Lushnjë Ferdinant Shani, i cili tha se fermerët do s`kualifikohen pasi nuk kanë blerë farë te pikat e autorizuara.

Por vetë fermerët thonë se nuk kanë leverdi të blejnë farën e grurit, për shkak se ajo këtë vit u shtrenjtua dhe e dyta, shumë fermerë kanë pasur farë nga vitet e kaluara. 

Madje, edhe fermerët që plotësojnë kriteret, janë skeptikë, madje të pakënaqur me shumën e subvencionimit.

Në Lushnjë dhe Divjakë, aplikuan më shumë se 12 mijë fermerë për subvencionim të grurit, por pas fazës së parë, kanë mbetur vetëm 1700 aplikantë, të cilët pritet të mbeten më pak në numër, për shkak të mosplotësimit të kritereve për përfitim të subvencionim.