VIDEO/ Vrasja e dyfishtë/ RENEA e kapi autorin në një banesë të braktisur

Besnik Pjetri, autori i vrasjes së dyfishtë disa muaj më parë në Lezhë, është vënë në prangat e policisë. SYRI TV mëson se Pjetri është arrestuar nga uniformat blu mëngjesin e sotëm nga forcat RENEA.

Ai u kap në një banesë të braktisur. Policia ka publikuar edhe pamjet e operacionit.

Në fund të muajit gusht, Pjetri vrau me armë zjarri ish-vjehrrin dhe ish-kunatin Pjerin dhe Gent Perjaku. Autori i dyshuar i ngjarjes kishte qenë i martuar dhe i divorcuar prej gjashtë vitesh me vajzën e Pjerinit, motrën e Gentit.

Mbrëmjen që ndodhi krimi, babë e bir, sapo ishin kthyer në banesën e tyre, nga një darkë me të afërm të familjes. Dyshohet se mes ish dhëndrit, gruas dhe familjarëve të saj ka pasur konflikte prej vitesh.

NJOFTIMI ZYRTAR

RENEA kap dhe vë në pranga një shtetas shumë të kërkuar për vrasje të dyfishtë me armë zjarri.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i arratisë”, i zhvilluar në kushte të vështira terreni dhe atmosferike. 

Operacioni, i finalizuar si rezultat i ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të RENEA-s dhe punës gjurmuese-policore të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Lezhës.

Lokalizohet në një banesë të braktisur në Kaçinar, Mirditë, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari i shumëkërkuar për vrasje të dyfishtë me armë zjarri. 

I ndaluari vrau babanë dhe vëllanë e ish-bashkëshortes së tij, më datë 29.08.2022, në banesën e tyre, në Grykë-Zezë, Lezhë.

Shërbimet e Policisë së Lezhës, në vijim të punës intensive gjurmuese-policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për kapjen dhe vënien në pranga të autorit të shumëkërkuar të vrasjes së dyfishtë, me armë zjarri, të ndodhur më 29.08.2022,  në Grykë-Zezë, Lezhë, ku u vranë shtetasit P. P., 56 vjeç dhe G. P., 32 vjeç (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së autorit), mbështetur nga inteligjenca informative, si dhe falë ndërhyrjes profesionale nga shërbimet e RENEA-s, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fundi i arratisë”, të zhvilluar në një terren me kushte tejet të vështira gjeografike dhe atmosferike.

Si rezultat i këtij operacioni, falë kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive, duke përdorur forma dhe teknika speciale hetimi, u bë i mundur lokalizimi në një banesë të braktisur, në fshatin Kaçinar, Mirditë, si dhe kapja e vënia në pranga e shtetasit:

- B. P. (P.), 49 vjeç, banues në Troshan, Lezhë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 49-vjeçarit, në mungesë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga veprimet hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, rezulton se 49-vjeçari, më datë 29.08.2022, për shkak të një konflikti me familjarët e ish-bashkëshortes së tij, ka vrarë me armë zjarri shtetasit P. P. dhe G. P. (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së tij).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.