Vasili: Në palcën e dimrit iu rrëmbehet prona për miqtë e Veliajt, që duan të ndërtojnë e të pasurohen!

Partia e Lirisë tregoi sot dhunën që po ushtrohet mbi banorët e një pallati në Tiranë, në rrugën "Myslym Keta" nga bashkia për t’i përzënë ata nga apartamentet e tyre, duke thënë se kjo është fytyra e vërtetë e kryebashkiakut Veliaj dhe e qeverisë së rilindjes!

Petrit Vasili, nënkryetari i PL-së, deklaroi se Veliaj po ju heq dritat dhe ujin banorëve në mes të dimrit dhe po u prish pallatin në prag të festave, po u rrëmben pronat për interes të miqve të tij që duan të ndërtojnë e të pasurohen

"Qytetarët trajtohen si armiq nga Veliaj, - shkroi Vasili në Fb. - Banorëve u ndërpritet energjia elektrike në mes të dhjetorit, në palcë të dimrit. Gra e burra të moshuar dhe fëmijë, pa drita në të ftohtë, iu rrëmbehet prona për interes të miqve të Veliajt, që duan të ndërtojnë e të pasurohen.

Kjo është dhurata e festave të Veliajt, nxjerrja në rrugë të madhe.

Mbasi i ndryshuan dhe i sajuan dokumentet siç deshën, tre vjet pas tërmetit, u kujtuan që pallati duhej prishur si i pasigurt. Mundi dhe djersa e qytetarëve bëhen pre e banditëve të bashkisë. Policia si organ dhune u zapton shtëpitë qytetarëve.

Kjo është fytyra e vërtetë e Veliajt dhe e “Rilindjes” që vetëm mashtron dhe grabit qytetarët e ku çdo premtim që japin është thjesht mashtrim. Hapni sytë më 14 maj, se këtë fat do të kenë të gjithë qytetarët që në mos sot, nesër do të grabiten nga Veliaj me shokë.”