Elbasan, dy arrestime për Touareg-un e vjedhur dhe të fshehur sa në Vorë, në Rinas e Fushë Krujë

Policia e Elbasanit, pas një procedimi penal të regjistruar në prokurori në shtator për vjedhjen e targave të një automjeti dhe mbi informacionet e siguruara nga shërbimi sekret, ka organizuar operacionin “Paramendimi” për arrestimin e personave që kanë fshehur një automjet të vjedhur 'Touareg".

Si rezultat, u arrestuan R. K, 47 vjeç, banues në Durrës dhe M. K, 30 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Nga hetimi u zbulua se banori i Durrësit, R. K. ka blerë një automjet “Touareg” që dyshohet se është i vjedhur dhe që kishte targa të vjedhura në datën 14.09.2022 në Elbasan.

Pasi e ka blerë automjetin, R. K e ka fshehur në servisin e tij në Vorë, në banesën e një të afërmi të tij në Rinas si edhe në banesën e  M. K në Arrameras, Fushë Krujë.

Gjatë kontrollit në banesën e  M. K në Arrameras të Fushë Krujës, Policia e Elbasanit ka gjetur automjetin tip “Touareg”  bashkë me targat e vjedhura. 

Tashmë po vijon hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale".